Klosi, takim me ISSH: Zbardhni çdo vend pune në të zezë

Në kuadër të luftës kundër informalitetit në tregun e punës, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka zhvilluar sot një takim me drejtuesit qendrorë dhe rajonalë të Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, ku edhe ka kërkuar një angazhim më të madh të tyre në luftimin e punës së zezë dhe shtimin e kontributorëve në skemën e pensioneve. 

Në fjalën tij, ministri Klosi ka kërkuar një bashkëpunim më të madh të të gjitha strukturave shtetërore për të evidentuar dhe nxjerrë nga puna e zezë çdo punëtor dhe ta futur atë në skemë.

“Doja t'i bëja një kërkesë secilit prej jush që të keni një bashkëpunim shumë më të ngushtë me inspektorin e punës, me përfaqësuesit e zyrës së tatimeve për të pasur gjithmonë e më shumë një kontribuim të secilit punëmarrës në skemën e pensioneve”, tha ministri Klosi.

Gjithashtu në kuadër të luftës kundër informalitetit, ai është ndalur edhe te procesi i faljes së gjobave dhe mbledhjes së detyrimeve të tjera.

Sipas tij, tani që ligji ka hyrë në fuqi është detyrë e institucioneve shtetërore që të mbledhin kontributet e padeklaruara dhe të arkëtura nga bizneset për punonjësit e tyre.

“Një problem tjetër kemi problemin e zbatimit të ligjit të faljes së gjobave. Në shtator duhet të ishte mbyllur raporti juaj për bizneset që ndikoheshin nga ky problem. Kemi sot plotë 11 miliardë lekë të paderdhura në skemën e pensioneve. Dhe ky është një problem që duhet patjetër të marrë vëmendjen tuaj”, u shpreh Klosi. 

 

SHKARKO APP