Klosi takon ministrin grek të Turizmit: Besimplotë se do të hapen kufijtë, do shërbejë për të dyja vendet

Me ftesë të ministrit grek të Turizmit, Harry Theoharis, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndodhet për vizitë zyrtare në Athinë.

Në takimin bilateral mes dy ministrave u fol për rritjen dhe shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, si një nga çështjet që i bashkon fort dy vendet tona kufitare e aq më shumë në kohën kur ky sektor ka pësuar dëme të mëdha nga pandemia.

Ministri Klosi dhe homologu i tij grek ndanë pikëpamjet respektive për sektorin turistik, rrugët për rritjen e tij, sikundër edhe të rritjes së bashkëpunimit të dy vendeve në shkëmbimin e eksperiencave.

Veçanërisht kjo do t’i ndihmonte sektorit turistik shqiptar në rritjen e turizmit detar dhe menaxhimin e vijës bregdetare. Ministri shqiptar i turizmit, Blendi Klosi, u ndal te lëvizja e lirë e qytetarëve në kufi, në kushtet e rënies së infektimeve dhe rritjes së vaksinimit.

“Kjo do t’i shërbejë turizmit në të dyja anët e kufirit. Besimplotë se ministri Theoharis do të jetë avokati i situatës së mirë pandemike, e reduktimit të infektimeve, vaksinimit masiv për t’ia përcjellë në instancat vendimmarrëse të masave”, u shpreh ministri Klosi. Homologu grek shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim.

SHKARKO APP