Klosi: Të jemi më solidarë për fëmijët me aftësi të ndryshme

“Riciklimi është Art”, ishte aktiviteti i organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Bashkia Fier.

Aktiviteti i organizuar në Qendrën “Horizont” në qytetin e Fieri, një qendër multifunksionale kjo për shërbime sociale për fëmijët me aftësi të kufizuar në qytetin e Fierit, kishte qëllimin që në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin, të sillte në vëmendjen e të gjithëve reflektimin mbi realitetin e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuar, në veçanti atyre autikë.

Aktiviteti u organizua në formën e një ankandi me piktura dhe punime të vetë fëmijëve të qendrës, punimet  janë bërë me  materiale të riciklueshme. Të ardhurat nga shitja e këtyre punimeve, shkojnë për promovimin e Qendrës, fëmijëve dhe të rinjve të saj. Gjatë këtij aktiviteti u shfaq edhe filmi i shkurtër “Një ditë në Qëndrën Horizont”.

Gjatë këtij aktiviteti, ministri Blendi Klosi vuri theksin tek mesazhi i kësaj dite, tek nevoja  për të kuptuar më mirë autizmin,  nevoja  për integrim dhe përkujdesje të fëmijëve autikë, një reagim i përbashkët i shtetit dhe shoqërisë.

“2 Prilli është një dita për të ndalur dhe reflektuar, për të kuptuar më mirë autizmin, nevojën për integrim dhe përkujdesje të këtyre fëmijëve”, tha Klosi ndërsa dënoi sërish rastin e tmerrshëm të dhunës në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës.

“Ne kemi nisur një Plan mobilizimi “Unë Mbroj Fëmijët”, për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës, ndaj do t’ju kërkoja të gjithëve të mos rrini në heshtje, të jemi një shoqëri  e angazhuar në mbrojtje të fëmijëve. Veçanërisht ndihmën, mbështetjen, mbrojtjen, solidaritetin tonë duhet ta ndjejnë fëmijët me aftësi ndryshe”, tha ministri.

Ndaj, apeloi në fund Klosi, duhet që të jemi të gjithë bashkë si shoqëri, më solidar, më të vëmendshëm, më të ndjeshëm.

SHKARKO APP