Klosi: Të punojmë më shumë për rolin e gruas në shoqëri

inistri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, bëri thirrje sot që të punohet më shumë me të rinjtë dhe shoqërinë shqiptare për t’i ndërgjegjësuar ata për rolin dhe kontributin e gruas në vendin tonë.

I pranishëm në sheshin “Nënë Tereza” ku po zhvillohen disa aktivitete sportive në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Sportit dhe Zhvillimit për Paqe, nën moton “Sporti për zhvillimin e një shoqërie të barabartë”, ministri Klosi theksoi se “sporti mund të jetë një instrument i rëndësishëm për integrimin e femrës shqiptare.

“Këto aktivitete janë shumë të rëndësishme, krijojnë një atmosferë të mirë. Ne edhe në shkolla kemi futur shumë më tepër edukimin sportiv, si një moment që i bën shumë më të barabartë djemtë e vajzat”, shtoi Klosi.

Sipas tij, sa më shumë aleatë të kemi në reagimin tonë institucional për të përcjellë barazinë gjinore në shoqëri aq më e mirë do të jetë kjo e ardhme.

Ministri Klosi u shpreh gjithashtu se “duhet të kontribuojmë më shumë për femrën, kemi ende shumë probleme në qendrat tona sociale, por në bashkëpunim me aleatët tanë ne jemi duke punuar t’i tejkalojmë ato”.

“Sot ndodhi një krim në familje në vendin tonë dhe kjo do të thotë që ne duhet të bëjmë edhe më shumë për ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezave të rinj. Duhet të jemi më shumë solidarë me ato çfarë bëjnë gratë dhe vajzat në Shqipëri dhe do t’u jemi mirënjohës”, nënvizoi Klosi.

Ai shtoi se “jemi vendi i parë që kemi 46 për qind gra e vajza në ndërmarrje e këshilla bashkiakë dhe duhet të punojmë më tepër për rolin e gruas në Shqipëri dhe shoqërinë tonë”.

Teksa duke folur për arritjet e sportistëve, ministri u shpreh se “sportistët shqiptarë kanë rezultate të shkëlqyera jashtë vendit”.

Më 23 gusht 2013, OKB e vendosi 6 prillin ditë kur do të festohet Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe. Gjithashtu, me këtë datë shënohet dita e hapjes së Lojërave Olimpike Moderne që u mbajtën në Athinë në vitin 1896.

KON dhe OKB kanë angazhime afatgjatë për të përdorur sportin si mjet për ndryshime sociale dhe vazhdojnë të punojnë së bashku në shumë projekte. Të dy organizatat i kanë shfrytëzuar ngjarjet e sportit siç janë Lojërat Olimpike për të ndërtuar mirëkuptimin kulturor dhe për të përmirësuar edukimin, shëndetin dhe zhvillimin ekonomik dhe social. 6 prilli, Dita Ndërkombëtare e Sportit për Zhvillim dhe Paqe ka për qëllim promovimin e mënyrës së shëndetshme të jetës dhe inkurajimin e Lëvizjes Olimpike Ndërkombëtare që të përqendrohet në lejimin e qasjes në sport për sa më shumë njerëz që është e mundur.

SHKARKO APP