Klosi: Tolerancë zero për dhunën ndaj fëmijëve

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë ka reaguar ndaj rastit të dhunës së ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjës në qytetin e Durrësit, duke marrë masa dhe vlerësuar ngjarjen si tejet të rëndë e të patolerueshme, çka është denoncuar në media.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, prej momentit të shfaqjes së pamjeve në media, urdhëroi marrjen e të gjitha masave për ta zbardhur në mënyrë të plotë ngjarjen dhe ndëshkimin e të gjithë personave përgjegjës.

“Dhuna e ushtruar ndaj një fëmije në Shtëpinë e Foshnjës Durrës përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijës, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e Mbrojtes së të Drejtave të Fëmijës. Sikundër përbën shkelje edhe të standarteve të qendrës së përkujdesit dhe e Kodit të Sjelljes së punonjësit në këto institucione. Pushimi nga puna nga bashkia Durrës i punonjëses Dafina Fama, që ka shkaktuar dhunën dhe çuarja e saj për ndjekje penale nga policia e prokuroria, janë vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së plotë të këtij rasti të rëndë dhe identifikimit të të gjitha përgjegjësive të drejtueses dhe stafit të këtij institucioni’, nënvizohet në njoftimin zyrtar.

Po ashtu, ministri Klosi urdhëroi menjëherë ngritjen e një grupi kontrrolli, i drejtuar nga nëndrejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, i cili po kryen kontroll në këtë Qendër për të analizuar  në thellësi rastin e ndodhur të dhunës, për të identifikuar qartë përgjegjësitë,  jo vetëm të punonjëses së përfshire në këtë ngjarje të rëndë, por edhe të stafit të qendrës e drejtueses së saj.

Ministri i është drejtuar bashkisë Durrës me kërkesën e  largimit gjithashtu të drejtoreshës së Shtëpisë së Foshnjes në Durrës, për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqënien dhe sigurinë e fëmijëve.

Nga rasti i dhunës në Shtëpinë e Foshnjes Shkodër, prej korrikut të 2015, MMRS ka marrë masa për parandalimin e rasteve të tilla përmes testimit të punonjësve për njohuritë, si dhe për standartet, ku njëri prej elementeve ka te bëjë me parandalimin e dhunës.

Duke dënuar ashpër rastin e dhunës në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës, ministri Blendi Klosi garanton se do të vijojë puna për parandalimin e cdo rasti të ngjashëm dhe rikonfirmon tolerancën zero ndaj çdo keqtrajtimi apo abuzimi të fëmijëve, veçanërisht atyre në Qendrat e Përkujdesit.

SHKARKO APP