Klosi: Vendori s’e ka kuptuar problematikën e papastërive në plazhe
Nga mbledhja e radhës e Komitetit Rajonal të Turizmit në qarkun Lezhë, ministri Blendi Klosi tha se megjithë masat e ndërmarra për sezon turistik të mirëmneaxhuar, problematikat mbeten ende evidente. Por, për ministrin Klosi me rëndësi përveç listimit të problematikave mbetet diskutimi me përfaqësues të pushtetit lokal, për të ndarë detyrat dhe vendosur bashkërisht rregullat për sezon turistik më të pastër, me më shumë shërbime.
“Problematikë e madhe mbetet pastërtia. Zgjedhjet lokale sollën pasoja në sezonin turistik, jo vetëm nga debate i madh politik në Tiranë, por edhe nga një ftohje e punës së strukturave të bashkive tona. Jo më kot kemi ardhur në Kune Vain për ta bërë këtë diskutim pasi ne gjejmë problematika jo të vogla në kuadër të gjithë trajtimit të pastërtisë në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. Në të dyja zonat tona të mbrojtura, qoftë kjo e Kune Vainit, qoftë në zonën e mbrojtur të lumit të Buna, ne kemi një sërë problematikash që vijnë nga një raport jo i drejtë i të kuptuarit të pastërtisë nga pushteti lokal. Zonat tona të mbrojtura nuk mund të jenë venddepozitime të daljeve të kanaleve të kullimit apo të kanaleve të pastrimit të ujërave të zeza në liqenin e Shkodrës”, tha ministri Klosi, i cili shtoi se fenomeni i derdhjes së ujërave të zeza në det nuk duhet të ekzistojë në asnjë kohë, jo më gjatë muajve të verës, pasojat e të cilit do të ishin të rënda për mbarëvatjen e sezonit turistik.
“Kemi problematika të vërteta në trajtimin e zonave të plazhit nga mosfunksionimi ashtu siç duhet i pushtetit vendor dhe nga mosfillimi i zbatimit të VKM-së përsa i përket hapësirave në të cilat zhvillohet plazh në të gjithë zonën e qarkut të Lezhës. Sot që flasim kemi dy probleme kryesore: E para, akoma kemi kontrata të palidhura me pushtetin lokal, pra informalitet të drejtpërdrejtë të atyre që shfrytëzojnë hapësirën e plazhit dhe e dyta, po aq problematike janë hapësirat publike për njerëzit e zakonshëm, të cilët duan të pushojnë jo në vendet e uzurpuara nga operatorët turistikë”, tha ministri Klosi, i cili kërkoi ndërhyrjen e çdo përfaqësuesi të komitetit rajonal të turizmit të trajtojë me rigorozitet çdo problematikë, që cenon sezonin turistik, të kërkojë me këmbëngulje zgjidhjen e trajtimit të ujërave të zeza, në të gjithë qarkun e Lezhës.
“E treta, është problematika me forcat e rendit përsa i përket raportimit të plotë, besoj që kemi një punë shumë të mirë përsa i përket respektimit të orareve por përsëri zhurmat janë shqetësuese në disa momente në zonat e pushuesve. Kemi ankesa që vijnë edhe nga platforma e bashkëqeverisjes për mosrespektim të fashave të orareve të vendosura nga VKM për zonat ku zhvillohet aktivitet muzikor”, u shpreh ministri Klosi.