Klosi, zyrave të punës: Dilni nga plogështia

 

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë analizës që zhvilloi me drejtuesit rajonalë dhe ata të zyrave të Punës në të gjithë vendin, theksoi se luftimi i informalitetit dhe parazitizmit në listat e papunësisë përbën një prioritet të MMRS.

Duke iu referuar pikërisht të dhënave të kësaj periudhe, ministri Klosi tha se “kemi një rritje shumë të madhe të kontaktit që kanë bërë zyrat e Punës me biznesin dhe vetëm si pasojë e një kontakti në një muaj kohë janë shtuar me disa mijë vendet e reja të punës që ofrohen pranë zyrave të Punës. Ne sot në të gjithë sistemin tonë kemi rreth 30 mijë vende pune që kërkohen nga biznesi”.

Nisur pikërisht nga ky rezultat, ai theksoi se është e domosdoshme që zyrat e Punës të dalin plotësisht nga plogështia në të cilën ndodhen, duke u kthyer në zyra që presin vetëm ankesa të qytetarëve në zyra pune si një pikë kontakti i drejtpërdrejtë me biznesin lokal, për më shumë punësim.

Për realizimin  e  objektivave, ai ka konsideruar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e zyrave të Punës me Arsimin Profesional.

“Zyrat e Punës edhe me ligjin e ri do të kenë një lidhje shumë të madhe me Arsimin Profesional. Do të jeni ju, ata që do të projektoni dhe orientoni kurset në qendrat tona multifunksionale, pasi shkollat tona do t’i shndërrojmë në qendra multifunksionale, që të shtojmë më shumë numrin e atyre që marrin një profesion”, – tha Klosi.

Ai gjithashtu paralajmëroi se me ligjin e ri “Për punëkërkuesit e papunë” nuk do jepen më vërtetime papunësie për ata që refuzojnë të punojnë.

SHKARKO APP