KLSH raport tjetër për ERE, dëmtim buxhetit të KESH dhe atij të Shtetit me 9 mln euro
Enti Rregulator i Energjisë në përplasjen me Kontrollin e Lartë të Shtetit për lejimin ose jo të kontrollit, shprehet se ka detyrim të raportojë vetëm në parlament.
Kjo me përcaktimin se konsiderohet si ent i pavarur.
Madje në këtë situatë duket se është vendosur dhe situata e pagave ku rezulton se në vitet e fundit kryetari i bordit ka marrë pagë mbi 4 milionë lekë të vjetra në muaj, thuajse sa dyfishi i rrogës së presidentit.
Por KLSH ka denoncuar për abuzime nga ERE duke u shprehur se duke lënë në fuqi vendime të shkuara duke krijuar mundësinë që kompani private të blejnë lirë në shtet dhe të shesin shtrenjtë, thuajse 4 ose 5 fish, po në shtet.
Por një tjetër raport i KLSH me sa duket i dalë pas analizës në KESH vëren të tjera shkelje.
Në raportin e prillit të vitit 2018 është folur dhe për mundësi falimenti të provokuar operacional që vjen si pasojë e mos veprimit të ERE apo ministrisë së infrastrukturës dhe energjetikës.
Në raport citohet se ERE me veprimet dhe mosveprimet e saj, ka krijuar problematikë serioze në zbatim të Ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, pasi me vendimet “Për miratimin e rregullave të tregut”, paraqet paqartësi dhe madje konflikt të vetë dispozitave të rregullave të tregut, të cilat nuk janë hartuar në frymën e Ligjit.
Madje në rekomandimet e bëra audituesit konstatojnë dhe mos rakordim të bilancit për transaksionet financiare energjetike për vitin 2016 dhe 2017 respektivisht në sasinë 87,704 Megavat për orë dhe 189,626 Megavat për orë.
Një tjetër pikë është dhe Marrëveshja me Shoqërinë “OST” e miratuar me vendimin e Bordit të ERE, për shërbimet ndihmëse dhe të balancimit të sistemit elektroenergjetik , për të cilën thuhet se ka dëmtuar buxhetin e Shoqërisë “KESH” SHA dhe Buxhetin e Shtetit në vlerën 9 milionë eurove. /Ora News