Koalicion me Ramën apo Bashën? Ja si përgjigjet Rudina
“Nisma”, do të jetë partia e re me të cilën Rudina Hajdari do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. “Jemi në proces, jemi duke mbledhur firmat. Kemi qenë gati në të gjitha zonat e Tiranës, Gramsh, këtë javë do të shkojmë në Bajram Curr. Nuk do të shkojmë me 3 mijë firma, por me 10 mijë firma”, tha ajo.
Hajdari tha se partisë do t’i bashkohen njerëz të papërlyer ndërsa kryetari do të “zgjidhet” nga votuesit, pasi do të jetë emri do të marrë më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme.
“E kemi quajtur ”Nisma” pasi është një iniciativë për të ndryshuar gjërat. ”Nisma” do të ketë njerëz të papërlyer, parimi që kemi vendosur është që nesër kur të shkojnë në zgjedhje, ai që do të votohet më shumë do të jetë kryetari i kësaj partie”, deklaroi deputetja.
Ajo nuk përcaktoi një palë të preferuar në rast hipotetik për të formuar koalicion paszgjedhor, duke thënë se palët nuk kanë ndonjë diferencë por mbetet për t’u parë se cili do të jetë rezultati.
“Kjo është një gjë për t’u parë, ne duam që të krijojmë një opozitë reale. Të gjitha palët janë njësoj, të bësh koalicion me Edi Ramën është njësoj po aq e keqe sa të bësh koalicion me Bashën”, përfundoi Hajdari.