Kodheli, titull nderi nga Akademia Bonifaciana në Romë‏

 

Ministrja e Mbrojtjes,  znj. Mimi Kodheli, është nderuar me çmimin ndërkombëtar  “Bonifacio VII” dhe titullin e nderit të akademisë ‘Bonifaciana”, me motivacion : “Për impenjimin e madh dhe kontributin kulturor dhe social për realizimin e idealeve, qëllimeve, vlerave dhe arritjeve që kjo akademi çmon”.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast  në qytezën e Papëve në Romë merrnin pjesë personalitete të shumtë nga bota kishtare, diplomacia, institucionet civile, ushtarake dhe personalitete politike të vendit.

Në fjalën e saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli vlerësoi lartë punën dhe veprën e Akademisë Bonifaciana për promovimin e vlerave të larta njerëzore mes popujve për një botë më të mirë dhe në paqe. Ministrja Kodheli theksoi se, marrëdhëniet mes dy popujve tanë janë të lashta, të forta dhe shpirtërore.

"Kam nderin të marr në duar çmimin që për herë të parë iu dha një përsonaliteti dhe një njeriu të dashur për të gjithë shqiptarët, Papa Gjon Palit të Dytë. Papa Vojtila, i shoqëruar nga shqiptarja e madhe Nënë Tereza, vizitoi Shqipërinë në vitin 1993 duke sjellë shpresë dhe ngrohtësi për të gjithë ne. Kurrë s’kemi për të harruar imazhet prekëse të momentit kur Vojtila u ul dhe puthi tokën tonë. Tokën tonë aq të vuajtur, të larë nga gjaku i qindra klerikëve që komunizmi nuk mundi t’i thyejë as duke i dënuar me vdekje.  Ato imazhe që bënë xhiron e të gjithë botës e kthyen Papa Gjon Palin e Dytë në njeriun me të dashur për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të shprehim mjaftueshëm mirënjohjen për nderin që na u bë. Ne asnjeherë nuk do të mundemi të jemi mjaftueshëm mirënjohës që Selia e Shenjtë nuk na harroi për asnjë çast në lutjet e së dielës. Shqiptarët vleresojnë mbështetjen e jashtëzakonshme të Selisë së Shenjtë ndaj luftës dhe përpjekjeve të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kur Papa Nicholas V dëgjoi për kurajën dhe fitoret e Skënderbeut i dërgoi atij një urim shpirtëror special duke e quajtur  “kampion dhe mburojë e Mbretërisë Kristiane”. Trimëria dhe atdhedashuria e shqiptarëve, diplomacia e mënçur e Selisë së Shenjtë dhe e përfaqësuesve të klerik katolik në Shqiperi ishin elementët bazë të një qëndrese që tejkaloi kufijtë e realitetit dhe u kthye në legjendë. Pas vdekjes së heroit tonë kombëtar, Italia strehoi me bujari familjen e tij dhe mijëra shqiptarë, të cilët u shpërngulën për të shpëtuar nga pushtimi dhe shfarrosja. Ata gjetën këtu shtëpinë e tyre të dytë. Ata, arbereshët, e duan këtë tokë po me të njejtën forcë që paraardhesit e tyre deshën Shqipërinë.

Ne nuk do të mundemi të harrojmë kurrë mikpritjen e popullit italian kur mijëra shqiptarë në vitet 90-të të shekullit të shkuar kaluan Otranton duke u arratisur nga Shqipëria e shkatërruar prej komunizmit. Ju dëshmuat shpirtin e gjërë të një populli të lashtë. Ju përditë e dëshmoni këtë, edhe sot, me përpjekjet tuaja gati titanike për të strehuar ata mijëra të pashpresë që përpiqen të shpetojnë nga ferri i luftes në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm.

Lidhjet tona janë të thella pikërisht sepse ato bazohen në vullnetin e mirë, besimin reciprok, deshirën për paqe, prosperitet dhe siguri. 21 shtatori i vitit të kaluar ishte një tjetër ditë e rëndësishme për ne shqiptarët. Rrugëve të kryqytetit mijëra shqiptar të fesë myslimane iu bashkuan vëllezërve të tyre të krishterë duke shprehur të njëjtin nderim dhe dashuri për Papën Franceso", u shpreh Kodheli.

Ky është edicioni i trembëdhjetë i Akademisë Bonifacio VII dhe 780- vjetori i lindjes së Papa Benediktit Cajtani.

I ftuar nderi në këtë ceremoni ishte kardinali Francesco Baldisseri, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve , i cili mbajti fjalën përmbyllëse të vitit akademik "Viti i Shenjtë Bonifacio VIII dhe të vitit jubile të mëshirës së Papa Francesco”.

 

SHKARKO APP