Kodi rrugor/ Ekspertët: Jo frenat në dorën e Policisë

Ministria e Brendshme dhe Policia Rrugore kanë prezantuar ndryshimet në Kodin Rrugor që parashikojnë ashpërsime të gjobave për drejtuesit e mjeteve, kryesisht për alkool, përdorim celulari, apo shkelje të përsëritura. Disa prej tyre, ashpërsime me disa-fish.

Por a janë efektive këto ndryshime në Kodin Rrugor? ”Unë nuk e shoh si diçka të studiuar, sepse të gjitha ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Rrugor duhet të bëhen me studimet dhe me përvojat që ne kemi. Ne nuk kemi një institucion që bën studimin e rasteve, dhe me opinione dhe me mendime empirike nuk mund të bëhet, sepse sjell dëme ekonomike dhe sjell dëme sociale”, shprehet Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë.

Për ekspertin Gëzim Hoxha, nuk duhet që të jetë policia ajo që të marr frenat në dorë. ”Policia duhet të sjelli problemet që ka në qarkullimin rrugor. Këto probleme duhet që kryeministri të nxjerrë një VKM apo urdhëresë, ku të krijohet një grup pune ku të cilët të mos jenë persona që punojnë as në Ministrinë e Rendit dhe as në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët në mënyrë të paanshme të bëjnë rregullimet në Kodin Rrugor, natyrisht me konsulencën e ekspertëve Italianë, pasi vet Kodi jonë është italian”.

Sipas ekspertit Hoxha, edhe ndryshimet e mëparshme të Kodit Rrugor nuk kanë qenë efektive. ”Kodi ynë rrugor është ndryshuar katër apo pesë herë mesatarisht, nuk e them dot ekzakt, por gjithmonë ne kemi bërë gabime dhe kodin rrugor e kemi devijuar nga boshti i tij. Tashmë aty flitet edhe si bëhet regjistrimi në autoshkollë, dhe kjo tendencë vazhdon të jetë përsëri, pra njerëzit qoftë dikasteri i infrastrukturës qoftë dikasteri i policisë, duan të marrin kompetenca, kjo është ideja e tyre që duan të bëjnë ndryshime në Kod. Kjo nuk ka lidhje me sigurinë rrugore. Ne duhet të bëjmë një Kod të paanshëm, të saktë, të qartë dhe të ndihmojmë qytetarët”.

SHKARKO APP