Kodimi në Shkolla, Muzhaqi: Ndërtojmë një brez të ardhshëm krijues

Nxënësit e 300 shkollave 9-vjeçare në Shqipëri janë pjesë e projektit pilot të kodimit. Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi vizitoi shkollën “Naim Frashëri” në Tiranë, ku u takua me nxënësit e klasës së dytë të kësaj shkolle.

“Shkolla “Naim Frashëri” është pjesë e programit të kodimit me laboratorët inteligjentë krejtësisht modernë dhe po ndryshon mënyrën si fëmijët mësojnë jo vetëm teknologjinë, por edhe si i qasen inteligjencës artificiale”, tha Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Muzhaqi u shpreh se “kurrikula e kodimit është një strategji inovative dhe unike, e krijuar nga vizioni i qeverisë shqiptare, ku tanimë ky program ka përfshirë 300 shkolla, dhe ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi kritike dhe logjike përmes lojës, duke e bërë kodimin lëndën e tyre të preferuar”.

“Me këtë hapa ndërtojmë një brez të ardhshëm krijues dhe me vizion për digjitalizimin”, tha Muzhaqi. Kodimi në shkolla ka filluar zbatimin në vitin 2022. Aktualisht po zbatohet në klasat e para të 300 shkollave publike dhe 40 shkolla jopublike në Shqipëri. Ndërkohë, projekti po pilotohet për klasat e dyta në rreth 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë, të pajisura të gjitha me laboratorë inteligjentë. Mësuesit që japin lëndën trajnohen rregullisht për të qenë të përditësuar më metodat e posaçme didaktike që kjo lëndë kërkon.

SHKARKO APP