Koduzi: Shifrat e viktimave nga Covid-19 jo reale, akuzat e Bashës të drejta
Mjeku Gazmend Koduzi i ftuar në një intervistë për Ora News u shpreh se akuzat e ngritura nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha janë të drejta dhe se shifrat e raportuara nga Ministria e Shëndetësisë nuk janë reale.
Koduzi: Z.Basha ka thënë një të vërtetë që shqiptarët pak a shumë e dinin, njerëzit në komunitet e dinin, se kanë parë persona që ato i kanë njohur në rrethin e tyre, kanë marrë pjesë në ceremonitë e përcjelljes së tyre dhe nuk i kanë parë në raportet e Ministrisë. INSTAT që është një agjenci qeveritare në raportin e numrit të vdekjeve në tremujorin e tretë të vitit 2020 raportoi 1300 persona më shumë se tremujorin e tretë të 2019. Gjatë tremujorit të tretë Ministria e Shëndetësisë ka raportuar 323 persona, pra mbeten 1000 persona që duhet t’i justifikohet arsyeja e vdekjes. Brenda të dhënave që dha z.Basha mbrëmë është një pjesë e tyre, ndërkohë që një pjesë tjetër janë persona të cilët kanë humbur jetën në shtëpi, kanë dalë nga spitali dhe kanë humbur jetën ose persona të cilëve nuk u është bërë tamponi ndonjëherë dhe kanë humbur jetën në shtëpi.
Ai u shpreh se ka shumë raste të cilat rezultojnë negativ por janë bartës të virusit që ka kaluar në fazën e inflamacionit, raste të cilat nuk raportohen nga Ministria e Shëndetësisë.
Koduzi: Në Spitalet Covid 1, 2 dhe 3 ka persona të cilët kanë bërë tamponin janë pozitiv por ka dhe persona të cilët kanë bërë tamponin dhe janë negativ pasi kanë shkuar në spital. Në spital shkohet pas ditës së 10 kur fillojnë komplikacionet. Virusi pas ditës së 7- 10 është zhdukur nga qarkullimi dhe ka dhënë pasojat e veta. Kjo quhet faza e inflamacionit dhe në këtë fazë nuk kapet virusi me tampon dhe del negativ. Në raportimet që bën Ministria e Shëndetësisë të personave të shtruar këto persona me tampon nuk përfshihen. Kur këto persona humbasin jetën dhe këto nuk përfshihen. Pra me qëllim nuk i përfshin këto persona që janë në spitalet Covid, sepse në spitalet Covid shkojnë vetëm ata persona qe e kanë virusin.
Koduzi tha se Basha iu tregoi shqiptarëve se çfarë po ndodh ndërkohë që Rama po bën politikë me jetën dhe me vdekjen gjatë kësaj periudhe.