Koduzi: Shqipëria një ”Wuhan” i madh, qeveria ul artificialisht të infektuarit
Kreu i Departamentit të Shëndetësisë pranë selisë blu, Gazmend Koduzi, lëshon akuza të forta ndaj qeverisë ”Rama” dhe autoriteteve shëndetësore që menaxhojnë situatën e pandemisë në vend.
”Është e vërtetë që ditët e fundit ka një rënie të lehtë të infektuarve, por po të shihet me vëmendje, pozitiviteti mbetet shumë i lartë, dje ka qenë 27% . Kjo do të thotë që qeveria duke ulur numrin e testimeve, ul artificialisht edhe numrin e të infektuarve. Po të ishin 4000 testime si javët e kaluara, do të shkonim sërish mbi 1000 të infektuar. Personat e infektuara janë aty, dhe treguesi është numri i personave që humbin jetën”,-tha ai në ”A2cnn”.
Sipas tij, Shqipëria është si një ”Wuhan i madh, një spital i madh”, dhe faji për këtë i faturohet qeverisë, që “ka marrë gjithmonë masa të vonuara dhe jo profesionale, duke mos zbatuar trinomin e njohur testim-gjurmim-trajtim”, ka rimbursuar ”vetëm 5% të personave që kanë kaluar Covid-19”, dhe ka hapur me vonesë spitale rajonale.