Kokainë në arkat e bananeve drejt Europës, arrestohen 6 shqiptarë

Policia e Shtetit njofton se në bashkëpunim me autoritetet belge dhe ato gjermane është realizuar me sukses operacioni anti-drogë i koduar “ATOS”.

Në njoftim thuhet se kanë renë në pranga 6 shqiptarë persona në Belgjikë, të identifikuar Musa Gjikola, 34 vjeç dhe Genti Balliu alias Flamur Balliu, 37 vjeç, banues në Tiranë; Ramazan Rraja, 27 vjeç dhe Fioralb Rraja, 24 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë; Bledar Pepaj, 29 vjeç, banues në Pukë; Fatmir Xhecuka., 33 vjeç, banues në Laç;  Ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë janë K. N. shtetas lituanez dhe S. C. shtetas grek.

Operacioni i cili u zhvillua në datat 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor në Shqipëri dhe Belgjikë, është vazhdimësi i një operacioni në bashkëpunim me autoritetet gjermane të vitit 2018 të koduar “Paraguaj”. Në këtë operacion janë arrestuar pranga 10 shtetas shqiptarë dhe u sekuestruan në total 1 ton kokainë.

Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.

Si rezultat i hetimeve, u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri në datën 21 dhjetor 2020, u organizua dhe finalizua operacioni i përbashkët antidrogë i koduar “ATOS”, në kuadër të të cilit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal katër persona.

Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.

Ky grup kriminal funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontenierët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontenierëve.

Pasi kontenierët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.

Në këtë operacion, për ushtrimin e kontrolleve në banesat e të arrestuarve u përfshinë strukturat hetimore të antidrogës në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Shkodër e Lezhë, nën drejtimin e SPAK-ut.

Njëkohësisht, nën drejtimin SPAK-ut, për shtetasit shqiptarë të arrestuar gjatë operacionit ka filluar hetimi pasuror.

SHKARKO APP