Kokainë në lokalet e natës në jug, arrestohet 25-vjeçari

Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë në Vlorë, pasi akuzohet se shiste doza kokaine dhe kanabisi, në lokalet e natës. Policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, që u gjetën në dhomën e tij të hotelit.

“Vihet në pranga një 25-vjeçar që shiste doza kokaine dhe cannabisi, në lokalet e natës. Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine dhe cannabisi, që u gjetën në dhomën e tij të hotelit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli”, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar dhe finalizuar operacinin policor të koduar “Parts 22”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku qëndronte ky shtetas, në Dhërmi, shërbimet e Policisë gjetën 20 doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe disa doza lënde të dyshuar narkotike cannabis, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen, kryesisht në lokalet e natës, në zonën e Himarës. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

SHKARKO APP