“Kokainën e përdorte për migrenën”!! Si u lirua nga qelia vëllai i shefit të Policisë

Ndaj Pajtim Agës, vëllai i zyrtarit të policisë Robert Aga, i arrestuar gjatë aksionit anti-drogë të koduar “Tanzit”, rëndonte një vendim gjykate i formës së prerë me 5 vite “dënim me kusht”. “Boldnews” zbardh vendimin e gjykatës së Kurbinit dhënë më 27 Tetor 2017, me relatore Marçela Shehun, sot anëtare e këllit të Lartë Gjyqësor. Pajtim Aga u arrestuar nga policia e Lezhës, pasi iu gjet një sasi kokaine në makinë.

Arrestimi

Pajtim Aga u vu në pranga në vitin 2016. Gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 320 gram e dyshuar lëndë narkotike “kokainë” e paketuar, bënte me dije policia në informacionin e dhënë për mediat, për arrestimin e Agës. “Më datë 25.09.2016, nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative si dhe falë një operacioni të mirëorganizuar, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Pajtim Aga, 37 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij , i’u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi 320 gramë e dyshuar lëndë narkotike ‘Kokainë’ e paketuar”, thuhej në njoftimin e policisë.

Akuza

Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të Pajtim Agës dhe dënimin e tij me 7 vite heqje lirie në një burg të sigurisë së zakonshme, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”. Në vendimin e gjykatës saktësohet se avokati Edmond Bunaj, përfaqësues ligjor i të pandehurit Pajtim Aga, si dhe vetë i pandehuri prezent, i kërkuan gjykatës mëshirë, pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e Agës, si dhe një masë dënimi më të butë duke patur parasysh rrethanat, si: “Ka pranuar aktet në gjendjen që janë, duke kërkuar gjykim të shkurtuar, pendimin e thellë për kryerjen e veprës penale. Gjendjen e rëndë shëndetësorë të pandehurit Pajtim Aga, i cili vuan nga Sëmundje Iskemike të zemrës… i cili ka kaluar dy parainfrakte pranë dhomave të paraburgimit. Kushtet e izolimit në dhomat e paraburgimit, ndikojnë negativisht mbi jetën dhe shëndetin e të pandehurit, pasi nuk është në gjendje të përballojë dhe të mjekohet në mënyre optimale në kushtet e institucionit ku është i paraburgosur, sipas edhe konkluzionit të arritur edhe nga ekspertet e Mjekësisë Ligjore Tiranë, të caktuar nga gjykata. Si të tilla kushtet e izolimit në burg konsiderohen të papërshtatshme në kushtet e gjendjes së tij aktuale shëndetësore. Në institucionin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Shënkoll Lezhë apo në Spitalin e Burgut, të pandehurit Pajtim Aga, nuk i jepet dot ndihma e nevojshme mjekësore. Faktin se i pandehuri ka deklaruar përapara gjykatës së akuzën e pranon, lëndën narkotike e ka për përdorim, pasi i është rekomanduar nga mjekët se është qetësuese për sëmundjen e migrenës, i cili vuan prej vitesh, si rezultat i përdorimit të lëndës narkotike në doza të vogla. I pandehuri Pajtim Aga është i padënuar më parë, është kryefamiljar i martuar me fëmijë të mitur”.

Në fund, gjykata vendosi ta shpallë fajtor Agën për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe ta dënojë me 5 vite burgim. Por, Aga, i cili deri në atë moment mbahej nën masën e sigurisë “arrest me burg” fitoi lirinë, pasi gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për një kohë prove prej 5 vjetësh, me kusht që i pandehuri të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës Kurbin dhe të mos kryejë vepër tjetër penale. Vendimi mori formë të prerë pasi nuk u bë apelim në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Boldnews.al/

SHKARKO APP