Kokëdhima: Jam i shqetësuar për Shqipërinë. Ja si zgjidhet kriza politike
Koço Kokëdhima u shpreh se politikanët aktual që drejtojnë shtetin nuk ikin dot me dëshirë. Ai tha se ata kanë shkatërruar shtetin qëllimisht. Në studion e lajmeve të Ora Neës, Kokëdhima u shpreh se ai është i shqetësuar për fatet e Shqipërisë. Sipas tij vendi po shpopullohet, ndërsa thekson se nëse nuk ndryshohet sistemi kriza do të thellohet.
Koço Kokëdhima: Në 30 muaj që isha deputet të PS luftova shumë që të demokratizoja partinë dhe demokracinë. Po të mos u kundërvihesha unë këtyre, ata nuk do kishin ndërmarrë nismën për të më hequr mandatin mua. Ata nuk e lëshojnë me dëshirë pushtetin. Ata shkatërruan shtetin, zgjedhjet, sundimin e ligjit dhe të gjitha burimet e ekonomisë së Shqipërisë. Budallenj këtu janë ata që u shkojnë pas avazit, këta nuk janë budallenj.
Ai theksoi se zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën, pa demokratizuar më parë sistemin. Kokëdhima u shpreh se është i shqetësuar për fatet e Shqipërisë, pasi ai vetë është njeri i realizuar në të gjitha drejtimet.
Koço Kokëdhima: Zgjedhjet nuk e zgjidhin krizën. Krizën e zgjidh reforma e thellë e demokratizimit të sistemit dhe të zgjedhjeve. Pa bërë këto nuk e zgjidhim dot krizën, nuk e ndalojmë dot zbrazjen e Shqipërisë, thellimin e Shqipërisë, rrënimin e Shqipërisë deri në fund. Unë jam shumë i shqetësuar për këto zhvillime të kqija. Jam i shqetësuar për fatin e Shqipërisë, sepse po manipulojnë shqiptarët e varfër sepse unë vetë jam i realizuar. Kurrë nuk morën një akt serioz reflektues.
Duke komentuar paketën Anti-KCK, Kokëdhima u shpreh se nuk beson te serioziteti i qeverisë për të luftuar krimin.
Koço Kokëdhima: Unë nuk kam asnjë besim se qeveria ka vullnet për të luftuar kriminelët. Së dyti, unë besoj që kriminelët kanë shumë më tepër pjesëmarrje në qeverisje se sa qytetarët e Shqipërisë. Qëllimi i kësaj pakete ligjore është për të prodhuar më shumë pushtet për qeverinë, se sa për të luftuar pasuritë e krimit. Unë nuk i besoj propagandat e tyre.