Kolonel Ylli Zyla: Si u shkatërrua Shërbimi i Inteligjencës së Ushtrisë

KOMENT

Nga Ylli Zyla*

Në këto dy vite të fundit, Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake (SHIU) sot AISM ka pësuar një degradim pothuaj të pariparueshëm. Në vitin 2014, u miratua një ligj i ri me nr. 65/2014 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes(AISM) duke hedhur poshtë punën e 10 viteve të shërbimit dhe të asistencës, që kishin dhëne partnerët për afro pesë vjet për ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe trajnimeve profesionale të personelit të shërbimit. Me ligjin që u miratua në vitin 2014, u hodh poshtë gjithë ekspertiza dhe asistenca juridike, në ngritjen e një shërbimi me parime thellësisht demokratike, sipas të gjitha standardeve më të larta të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere. Ky ligj i ri i miratuar vetëm me votat e mazhorancës së sotme përveç dëmeve të mësipërme, krijoi një precedent jo demokratik, ku nuk respektohet parimi i balancës së pushteteve si dhe pavarësia e shërbimit nga politika. Në vijim, po ju sjell një aspekt të shkeljes së këtij parimi thelbësor, që lidhet me emërimin, lirimin dhe shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të shërbimit:

Në ligjin nr117/2012 për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes(AIM) neni nëntë pika tre thuhet; Drejtori i përgjithshëm i shërbimit emërohet dhe lirohet nga detyra nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit.  Në ligjin “Kodheli” nr 65/2014, për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes(AISM) në nenin nëntë pika katër thuhet; “Drejtori i Përgjithshëm i shërbimit emërohet, lirohet ose shkarkohet nga Ministri i Mbrojtjes” dhe nuk përcaktohet kush e propozon. Pra e propozon vetë dhe e emëron vete një Ministër që është De facto dhe De jure funksionar politik?

Vetëm me këtë fakt, shërbimi është i orientuar politikisht nga Ministri i Mbrojtjes dhe shërbimi mund të shndërrohet ne një vegël (polici) politike dhe mekanizëm represioni për gjithë personelin ushtarak dhe civil, në MM dhe FA në gjithë juridiksionin e vet dhe jashtë tij. Minimumi që duhej të bëhej është, që drejtori të propozohet nga një funksionar tjetër p.sh SHSHPFA. Me zgjedhjen e drejtorit në këtë mënyrë, paragjykohet katërçipërisht shërbimi dhe gjithë struktura e tij si dhe çdo veprimtari, që ai kryen në funksion të Sigurisë Kombëtare.

Ky nen famëkeq i këtij ligji e dha efektin e tij të menjëhershëm në emërimin politik të Drejtorit të Shërbimit, në kundërshtim me ligjin 65/2014 të miratuar vet nga mazhoranca e sotme, zëvendësit të tij, si dhe të shumë zyrtarëve të shërbimit, që i përkasin strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit. Po le ti kthehemi dhe shkeljeve të vetë ligjit! Një nga kriteret shumë të domosdoshëm për tu emëruar drejtor agjencie, është përcaktuar në mënyrë taksative sipas nenit 11, pikat a,b,c të ligjit 65/2014 që; Kandidati për drejtor duhet të ketë të paktën 15-të vjet eksperiencë pune në inteligjencë dhe dhjetë vjet të ketë qene drejtues në strukturat e inteligjencës si dhe të ketë edukimin dhe trajnimin maksimal në fushën e inteligjencës.

Drejtori i sotëm, nuk ka patur asnjë dite eksperiencë në inteligjence dhe nuk ka asnjë trajnim minimal në fushën e inteligjencës. Pra është shkelur me të dy këmbët ligji nga Kodheli! Me këtë emërim në detyrë, Ministria e Mbrojtjes znj.Kodheli është në mënyrë të hapur dhe flagrante në kushtet e shpërdorimit, të detyrës me pasoja shume të rënda për Sigurinë Kombëtare të përcaktuar nga Kodi Penal. Në të njëjtën mënyrë dhe në shkelje të ligjit, është emëruar edhe zv/drejtori i përgjithshëm i shërbimit dhe shumë zyrtarë të tjerë në shërbim.

Efekti shkatërrues zinxhir i shërbimit, njëkohësisht i sigurisë së mbrojtjes filloi menjëherë mbas emërimit politik të drejtorit të tanishëm. Le të përmendim disa;

·         Largimin e personelit të trajnuar dhe profesionist.

·         Largimin e personelit me background dhe kontribute operacionale brenda dhe jashtë vendit.

·         Dekonspirimin e disa burimeve të rëndësishme dhe esenciale të shërbimit nga persona pa integritet si dhe nga të emëruarit rishtas.

·         Emërimin e oficereve të ish-sigurimit të shtetit në poste drejtuese në shërbim.

·         Emërimin e simpatizantëve dhe militanteve socialistë në shërbim, duke shkelur rregullat bazë të pranimit, miratuar me ligj.

·         Emërimin e dy atasheve ushtarak, në dy vende të NATO-s  nga shkolla e ish-sigurimit të shtetit.

·         Është shkelur në mënyrë flagrante neni 30, pika1, germa h, e ligjit 65/2014 për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes(AISM). Me urdhër të MM janë emëruar, si funksionar në shërbim, emigrantë të ardhur rishtas duke mos qenë banues në pesë vitet e fundit në Shqipëri. Kjo cenon drejtpërdrejt informacionin e klasifikuar dhe integritetin e shërbimit.

·         Janë dëmtuar apo shkatërruar kapacitetet operacionale të shërbimit të inteligjencës, që do të thotë, mungesë informacioni kritik për vendimmarrjen politike në vend, në funksion të parandalimit të çdo lloj rreziku apo kërcënimi që do ti vinte sigurisë Kombëtare.

Për një periudhe të gjatë më shumë se 20-të vjet, si drejtues dhe ekspert në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, vlerësoj se; Shërbimi ka humbur parimin e ligjshmërisë, objektivitetit dhe asnjanësinë politike. Shërbimi ka humbur besueshmërinë në vetvete dhe të partnerëve tanë të NATO-s. Me këtë problematik, shërbimi i ka humbur mundësia e funksionalitetit për të përmbushur misionin e tij, në parandalimin e çdo lloj veprimtarie antikushtetuese dhe antiligjore në MM e FA, si dhe në funksion të sigurisë Kombëtare.

Në përgjegjësinë profesionale, si ish-Drejtor shërbimi dhe si ish-Përfaqësues i Shqipërisë në Komitetet e Inteligjencës së NATO-s për më shumë se katër vjet, si ekspert në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, në më shumë se 20-të vjet, do ti kërkoja publikisht, Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Kuvendit të Shqipërisë, të thërrasë Ministren e Mbrojtjes znj.Kodheli dhe Drejtorin e shërbimit të inteligjencës ushtarake dhe më tej ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të  vlerësuar veprimtarinë e shërbimit të inteligjencës ushtarake.  Kjo procedurë do të parandalonte shkatërrimin e plotë të shërbimit, kthimin e besimit te personeli i këtij shërbimi dhe te partnerët e NATO-s. Ky denoncim publik, është vetëm maja e ajsbergut, në dëmtimin që po i bëhet sigurisë Kombëtare. Komisioni do të vinte para përgjegjësisë, personat përgjegjës dhe do bënte të mundur rivendosjen e integritetit të shërbimit, në funksion të sigurisë Kombëtare aq e nevojshme dhe e domosdoshme në këto momente, të kërcënimit terrorist, që po godet aleatet tanë, ku vendi jonë kërcënohet potencialisht.

Në funksion të zgjidhjes afat-shkurtër të këtij problemi, me rëndësi për nevojat kritike të sigurisë së vendit, rekomandimet e mëposhtme do te parandalonin degradimin përfundimtar të shërbimit :

Komisioni i sigurisë Kombëtare, të thërras në urgjencë Ministren e Mbrojtjes znj.Kodheli dhe Drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes(AISM), në një dëgjesë për veprimtarinë e kësaj agjencie, në lidhje me këto çështje:

·         Në ligjshmërinë e emërimeve dhe largimeve në shërbim.

·         Në ruajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve operacionale (njerëzore dhe teknike) të shërbimit.

·         Në plotësimin e kërkesave themelore dhe prioritare për inteligjencë ne lidhje me kërcënimet ose rreziqet ndaj forcave të Armatosura dhe partnereve të NATO-s.

·         Në detyrimet e shërbimit, në plotësimin e misionit kushtetues.

·         Në çfarë raporte besimi, kofidencialiteti dhe integriteti profesional është niveli i bashkëpunimit të shërbimit me partnerët strategjik dhe ata të NATO-s.

·         Niveli i sigurisë së informacionit, personelit dhe instalimeve fizike të shërbimit të inteligjencës.

·         Në kthimin e besimit të personelit dhe partnereve për shërbimin(AISM).

2- Komisioni i sigurisë të ndërmarrë iniciativë, për ndryshime në disa nene, në ligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes( AISM) me qëllim që të respektohen këto parime;

·         Të sigurohet ligjshmëria, objektiviteti dhe paanësia.

·         Asnjanësia politike, dhe ndal përdorimin politik të shërbimit.

·          Respektimi i të drejtave të njeriut.

·         Ruajtja e informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”, formave, metodave të punës dhe kapaciteteve operaconale.

·         Kontroll dhe mbikëqyrje e veprimtarisë së shërbimit.

3. Në funksion të zgjidhjes afatgjate të ketij problemi, çështja do të shtrohej përtej juridiksionit të shërbimit të inteligjencës ushtarake(AISM). Kjo çështje do të kërkonte një reformë të gjithë anshme, ligjore dhe  strukturore,  veçanërisht në strukturat e inteligjencës në vend. Kjo reformë do bënte të mundur integrimin e të gjitha strukturave të sigurisë Kombëtare në vend, integrimin e të gjitha kapacitetet operacionale dhe inteligjente në funksion të parandalimit të çdo lloj kërcënimi apo rreziku që do ti vinte sigurisë Kombëtare. Juridiksioni, ndarja e përgjegjësive dhe integrimi i produktit inteligjent i të gjitha strukturave, të sigurisë Kombëtare do të rriste efikasitetin e vendimmarrjes strategjike nga autoritet më të larta politike në vend. Reforma duhet të përcaktojë gjithashtu ngritjen e një Agjencie Kombëtare Koordinatave për shërbimet e inteligjencës dhe të strukturave të zbatimit të ligjit në vend.

* Kolonel Ylli Zyla gjatë viteve 2008-2012 ka mbajtur detyrën e ish-Drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak. Është Ekspert në çështjet e inteligjencës dhe sigurisë.

SHKARKO APP