Komentet e ministres mbi shqiptarët, Tabaku flet për median britanike: Jam ndjerë e kërcënuar
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku për mediat angleze, është shprehur se është ndjerë e kërcënuar nga komentet e bëra nga ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman lidhur me shqiptarët. Për të Shqipëria dhe Britania duhet të trajtojnë së bashku largimin e shqiptarëve. Ndërsa shtoi se edhe politikanët shqiptarë duhet të trajtojnë problemin nga brenda dhe jo t’i lënë fajin Mbretërisë së Bashkuar.
“Kam studiuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe si shqiptare jam ndjerë shumë e kërcënuar nga komentet e saj. Si politikane, më vinte keq që komuniteti i mahnitshëm shqiptar po veçohej, sulmohej dhe ngacmohej vetëm sepse kishte një problem. Ne duhet të pranojmë se ka një problem që duhet trajtuar nga të dyja palët.
Ka një problem në Britaninë e Madhe me sistemin që ekziston atje, por edhe në Shqipëri ka një problem sepse njerëzit po ikin. Rritja e shkallës së largimit të njerëzve, duhet të na bëjë ne politikanët në Shqipëri të kuptojmë se duhet trajtuar nga brenda dhe jo vetëm ta lëmë fajin në anën e Mbretërisë së Bashkuar”, u shpreh Tabaku, shkruan media britanike.