Komisariati Dixhital, 200 denoncime brenda pak orësh

 

Kjo është një makinë e parkuar mbi trotuar. Është një prej rasteve, kur foto e mbërritur në Komisariatin Dixhital, është shoqëruar me një gjobë 3 mijë lekëshe për drejtuesin e mjetit.

Vetëm 15 minuta pas sinjalizimit, një polic rrugor ishte në vendin ku mjeti ishte parkuar gabim dhe raportoi se u vendos masë ndëshkimore.

Brenda 48 orëve pas lançimit të aplikacionit Komisariati Dixhital, më shumë se 200 denoncime kanë mbërritur në sallën operative të policisë. Pjesën më të madhe e zë Tirana, e pas saj Durrësi, Fieri, Shkodra.

Ndërsa shkeljet më frekuente janë ato për parkim të gabuar, ndërtim pa leje.

Në një kontroll që TemA i bëri aplikacionit që të lejon të shohësh numrin e denoncimeve, qytetin, llojin e tyre dhe statusin nëse çështja është e zgjidhur apo është nën shqyrtim, rezulton se denoncimet e rreme janë pak dhe kryesisht flasin për “afera korruptive”.

Burime nga policia rrugore  e Tiranës  thonë se vetëm brenda ditës së premte, janë rreth 25 gjoba të vendosura për parkim të gabuar, pas sinjalizimeve nga qytetarët përmes aplikacionit.

Shqetësimet që qytetarët ndajnë me Komisariatin Dixhital shpesh duken edhe të çuditshme, si njëra prej tyre që denonconte Bashkinë e Tiranës për lënien ndezur të dritave të ndriçimit publik edhe gjatë ditës.

SHKARKO APP