Komisionerja e BE-së, Marta Kos: Serbia e detyruar të zbatojë kuadrin ligjor për të drejtat e shqiptarëve
”Bashkimi Evropian është duke ndjekur nga afër trajtimin e pakicave kombëtare nga autoritetet serbe, posaçërisht komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës”,-tha Komisionerja e Bashkimit Evropian, Marta Kos, në një letër të dërguar në adresë të deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kos ka përsëritur në letër se të drejtat e pakicave kombëtare janë pjesë e rëndësishme e angazhimeve që Serbia duhet të përmbushë në kuadër të procesit të saj të anëtarësimit në BE. Ajo ka shtuar se nga Serbia kërkohet të harmonizojë kornizën e saj ligjore për të drejtat e pakicave me standardet ndërkombëtare dhe ato evropiane.
”Në kuadër të kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim, Serbia është e detyruar të zbatojë kuadrin e saj ligjor për të drejtat e personave që u përkasin pakicave në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në letër.
Një ndër çështjet kryesore është ajo e pasivizimit të adresave, që ka prekur mijëra shqiptarë në jug të Serbisë. Kos ka konfirmuar se kjo është përfshirë edhe në raportet vjetore të KE-së për zgjerimin, ndërsa BE-ja do të vazhdojë të kërkojë nga autoritetet serbe llogari për mënyrën se si realizohen kontrollet e statusit të vendbanimit.
KOHA JONË SONDAZH

