Komisioni Europian reagon për deklaratat e kryeministrit pas vendimit të GJK
Kryeministri Rama njoftoi sot se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut “nuk ka asnjë urgjencë” për ta trajtuar atë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese (GJK).
Por pyetjet e Report.tv drejtuar sot Komisionit Europian thanë se po e monitorojnë me kujdes situatën e rastit “Balluku”.
Pyetje: Si e vlerëson Komisioni Evropian këtë përplasje institucionale që buron nga rasti i Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përfshihen SPAK, Kryeministria dhe Kuvendi?
- Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
- Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
A mendoni se përballja e qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë e minon reformën në drejtësi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Shqipërinë?
- BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi.
- Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE.
- Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
A ka kjo përplasje institucionale kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
- Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze.
- Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
A ka pasur diskutime zyrtare në Bruksel lidhur me këtë çështje? Dhe a keni komunikuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare ose institucioneve të drejtësisë për këtë situatë?
- Institucionet e BE-së janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare.
- Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.

KOHA JONË SONDAZH

