Komisioni i Prokurimit Publik detyron OST të anulojë tenderin prej 93 mln lekësh
Komisioni i Prokurimit Publik ka detyruar Operatorin e Sistemit të Transmetimit të anulojë një tjetër vendim.
Për Implementimin e një sistemi Backup dhe Disaster Recovery, institucioni i drejtuar nga Skerdi Drenova ka skualifikuar ofertën më të ulët me argumentin se nuk ka paraqitur asnjë punonjës të kualifikuar nga Microsoft.
Kjo është kundërshtuar nga Divitech, i cili ka paraqitur ankesë fillimisht pranë OST-së dhe kur ajo është refuzuar, gjithçka ka përfunduar në KPP.
Ky i fundit gjykon se ankimuesi përmbush kriterin e veçantë të kualifikimit pasi dokumentet e dorëzuara nga ai janë ekuivalente me ato që Drenova kërkonte.
“Ky certifikim në thelb i njëjtë i shërben qëllimit të autoritetit kontraktor për realizim me sukses të kontratës pasi nga ana e ofertuesve dëshmohet qartë se kanë në stafin e tyre punonjës me certifikimet e kërkuara.”
Pas kësaj, KPP i ka kërkuar OST-së anulimin e vendimit dhe kualifikimin e operatorit Divitech.
Kështu në buletinin e datës 2 nëntor është publikuar njoftimi se ky subjekt është shpallur fitues me ofertën prej 9.3 milionë lekësh.
Në procedurë rezulton të kenë marrë pjesë 4 kompani, 3 prej të cilave janë skualifikuar.
Janë disa raste që kanë përfunduar në KPP ku është konstatuar se OST me në krye Skerdi Drenovën ka kryer shkelje me vendimet e dhëna.
Të njëjtin vendim KPP ka marrë dhe për tenderin e blerjeve të materialeve te sigurimit teknik për testimin, kur fondi prej rreth 29 milionë lekësh u tentua ti jepej kompanisë me çmim më të lartë.
Pavarësisht këtyre sjelljeve nga KLSH apo SPAK ende nuk ka një hetim. /Ora News