Komisioni për Presidentin, Manja nxjerr jashtë mediat: Ka informacione sekrete
Është mbledhur sërish sot Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Ulsi Manja, kryetari i Komisionit bëri të ditur se një material sekret ka ardhur në këtë komision nga Presidenti i Republikës. Ai i kujtoi anëtarëve se nxjerrja e këtij informacioni përbën vepër penale. Komisioni ka vijuar punën me dyer të mbyllura, duke nxjerrë jashtë mediat, me kërkesë të drejtuesit të këtij komisioni, Ulsi Manja. Ai është shprehur se në komision do të shqyrtohet një material i klasifikuar si sekret shtetëror, dërguar nga kreu i shtetit.
”Pjesë e një informacioni të rëndësishëm që ka ardhur nga presidenti do t’u njoftohet sot anëtarëve të komisionit hetimor, duke zbatuar në mënyrë rigoroze ligjin për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror. Material i ri që ka mbërritur nga zyra e presidentit të republikës do të vijohet me dyer të mbyllura, dhe nuk duhet të dalë në asnjë lloj forme nga dyert e komisionit, përndryshe do të përballeni me ndëshkimin sipas ligjit”.
Gjatë mbledhjes, nënkryetari i Komisionit, Alban Zeneli kërkoi procedim sa më të shpejtë të punës dhe daljen me një vendim sa më parë. ”Mund të rishikojmë që sot. Të jepet një mendim i prerë, nëse e ka shkelur apo nuk e ka shkelur Meta Kushtetutën. Rama duhet të dal para shqiptarëve e të thotë e ka shkelur apo jo Meta kushtetutën. Ju po kërkoni Kohë. Të merren në shqyrtim të gjithë informacionet e të dilet në një vendim”.