Komisioni për TIMS, kryetari Salianji: Ka detaje përvëluese! Në kufi shiten dhe blihen të dhënat
Kreu i Komisionit për sistemin TIMS, deputeti i Rithemelimit, Ervin Salianji pretendon se në sistem kanë pasur akses edhe persona me rekorde kriminale dhe për këtë thotë se janë konfirmuar raste konkrete të personave të shpallur në kërkim që kanë kaluar kufirin, për shkak të manipulimit të sistemit edhe përmes korruptimit të zyrtarëve të lartë të policisë së shtetit.
“Ajo që mund t’ju them pa cituar asnjë nga sekreti hetimor është se është e konfirmuar tanimë se sistemi TIMS i policisë së shtetit mund të cedojë plotësisht duke mos regjistruar të dhënat e personave konkret, të paktën në disa raste e kam të konfirmuar me dokumentacion zyrtar që nëse një person në kërkim pavarësisht se paraqitet në pikën e kalimit kufitar dhe inspektori i policisë e kryen detyrën me përpikmëri duke e skanuar pasaportën për të bërë të mundur që të dalin të dhënat, për këtë person nuk del asnjë e dhënë sepse ose ka korruptuar persona që drejtojnë policinë e shtetit, ose ka paguar, ose ka lidhje politike. Por është e konfirmuar tani më se sistemi TIMS cedon në rastet e kalimit kufitar, duke bërë të mundur potencialisht kalimin e grupeve kriminale, ose personave që duan të thyejnë afatin 90 ditor që parashikon qëndrimi në zonën Shengen”, tha Salianji për ”Report Tv”.
Dëshmitë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla, drejtorit të Policisë Muhamet Rrumbullaku, apo edhe të ish-drejtorit të IT në policinë e shtetit Ervin Mucës, që zgjatën për 12 orë me dyer të mbyllura, Salianji thotë se kanë qenë në disa raste kontradiktore. Ndërsa flet për identifikimin e personave konkret që kanë pasur akses të paautorizuar në sistemin TIMS, por pa përmendur emra, pasi sipas tij duhet ruajtur sekreti hetimor.
“Së pari kemi Identifikuar që ka persona të paautorizuar që nuk kanë lidhje me policinë e shtetit që kanë pasur akses në sistemin TIMS. Është njësoj sikur ju nga zyra juaj të keni akses në sistemin TIMS, apo një berber nga shtëpia e vet të mund të ketë akses në sistemin TIMS për shkak të lidhjeve që mund të ketë me policinë e shtetit. Janë të verifikuara të dyja rastet që janë të llahtarshme në këndvështrimin tim, dhe kjo ka përgjegjësi konkrete, persona konkret të cilët janë përgjegjës për këtë situatë”,-tha Salianji më tej.
Deputeti i Rithemelimit, nënkryetar i grupit parlamentar demokrat, thotë se shkeljet janë pranuar në dëshmitë me dyer të mbyllura edhe nga ministri Balla apo kryepolici Rrumbullaku, të sipas tij i kanë cilësuar “gabime njerëzore” Të dhënat e sistemit TIMS thotë Salianji kanë dalë edhe në “Treg të zi” duke u shitur kundrejt pagesës.
“Këto që kemi dëgjuar janë llahtar. Ka pretendime se të dhënat e sistemit tims mund të vihen lehtësisht në dispozicion të personave të paautorizuar kundrejt pagesës. Ka referime që gjenden lehtësisht”. Të dhënat e siguruara nga komisioni hetimor deri më tani, Salianji thotë se janë objekt i punës së SPAK, me raste të zyrtarëve të kanë shpërdoruar rëndë detyrën.