Komisioni Rregullator ndryshime në rregulloren e seancave të KAS, rritet transparenca dhe efikasiteti
Komisioni Rregullator miratoi sot ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 3/2020, “Për miratimin e rregullores për mënyrën e funksionimit dhe zhvillimit të seancave të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve”, me qëllim përmirësimin e procesit të shqyrtimit të ankimeve dhe forcimin e transparencës së vendimmarrjes së KAS-it.
Sipas njoftimit të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në vendimet e miratuara, ndryshimet konsistojnë në rregullimin më të detajuar të mënyrës së depozitimit të kërkesave ankimore, përfshirë edhe paraqitjen e tyre nëpërmjet platformës online të KQZ; përcaktimin e procedurës në rastet kur një anëtar nuk mund të caktohet relator; si dhe saktësimin e fazës së verifikimit paraprak dhe të afateve për shqyrtimin e ankimeve.
Akti rregullon gjithashtu zhvillimin solemn dhe të rregullt të seancave publike, rolin dhe përgjegjësitë e relatorit, si dhe parashikon mundësinë e marrjes së vendimeve të ndërmjetme gjatë shqyrtimit administrativ. Për më tepër, saktësohet shumica e kërkuar për pranimin ose rrëzimin e kërkesave, sidomos në rastet që lidhen me kundërshtimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve, dhe rregullohet paraqitja e mendimeve paralele ose kundër.
Komisioni Rregullator nënvizon se këto ndryshime konsolidojnë praktikën vendimmarrëse të KAS-it, rrisin sigurinë juridike të palëve dhe harmonizojnë rregulloren me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe me nevojat praktike të funksionimit të tij.
KOHA JONË SONDAZH

