Komiteti bllokoi tubimet, por Rakacolli thotë se gjasat për shtim të rasteve të reja janë të vogla
Komiteti Teknik nuk është një organ vendimmarrës, por propozues. Ekspertët rekomandojnë masa në bazë të shifrave dhe në fund është qeveria ajo që vendos. Ndalimi i tubimeve dhe mos ndryshimi i orës policore është një vendim që i shkon për shtat qeverisë dhe ndalon takimet e opozitës. Praktikisht, Komiteti Teknik ka folur njëlloj si Edi Rama dhe nuk lejon tubime kundër qeverisë dhe kryeministrit.
Zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha për ”Euronews Albania”, se vendimi i marrë sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për të mbajtur të pandryshuar edhe me dy javë masat anti-covid është në përputhje me indikatorët që janë numri i rasteve të reja, numri i incidencave, numri i të shtruarve në spital, numri i personave që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe numri i jetëve të humbura.
Sipas saj, nisur edhe nga përvoja e vendeve të tjera të rajonit që kanë pasur procese zgjedhore gjatë pandemisë, është konfirmuar se nëse zbatohen siç duhet masat anti-covid, gjasat që të kemi shtim të numrit të infektimeve gjatë fushatës janë të vogla.