Komiteti shqiptar i Helsinkit: Rasti i Klodianit është një këmbanë alarmi
Komiteti shqiptar i Helsinkit, ka folur për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit. Drejtoresha e komitetit, Erida Skëndaj, thotë se vrasja e tij është një kambanë alarmi për drejtësinë penale dhe se Prokuroria duhet që të zbardhë sa më parë të gjithë dinamikën e ngjarjes.
“Rasti i Klodian Rashës është një kambanë alarmi për sistemin e drejtësisë penale, ndërkohë që po reformohet dhe është shumë e rëndësishme që Prokuroria të ushtrojë përgjegjësitë e veprës penale. Të zbardhë në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes. Të identifikojë dhe të administrojë çdo provë që hedh dritë mbi përgjegjësinë e autorëve dhe të bëjë kulifikimin e drejtë të veprës penale sipas Konventave Europiane që shteti ynë shqiptar i ka ratifikuar dhe i ka bërë pjesë të shtetit ligjor. Është shumë e rëndësishme që të drejtat e familjarëve të viktimës të respektohen nga organet e sistemit të drejtësisë, sepse edhe këto raste duhet të dëgjohen dhe të informohen për çdo fazë të hetimeve. Është shumë e drejtë kauza e familjarëve për drejtësi”, ka thënë Skëndaj për ”Ora News”.