Kompanisë “Ernest” iu pezullua licenca, Aviacioni Civil: Si të aplikoni për kompensimin e fluturimeve
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale pas kaosit me pasagjerët e linjës ajrore “Ernest”. Ndërsa sqaron arsyet e pezullimit të kompanisë ajrore low cost, Autoriteti i Aviacionit Civil informon si do të vijohet më tej si edhe udhëzon pasagjerët që kanë prerë bileta se ku mund të aplikojnë për të marrë kompensim.
Postimi i plotë:
Pas njoftimit nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC) për pezullimin e licencës së kompanisë “Ernest”, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie, Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar (AAC), i dërgoi një kërkesë sqaruese ENAC dhe u informuam se për shkak të vështirësive financiare me likuiditetin e kompanisë, autoriteti italian ishte detyruar të merrte këtë vendim me shpresën se kompania, deri me datë 13 janar 2020, do jetë në gjendje të vërtetojë garanci financiare të nevojshme për vijimin e aktivitetit.
Kompania “Ernest” nga ana e saj iu përgjigj AAC-së, se do të angazhohej në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e zhvillimit të fluturimeve të programuara deri më datë 13 janar.
Për sa më sipër, që nga momenti i njoftimit për pezullim, kompania është duke operuar me kapacitet të kufizuar në avionë dhe staf operues. Kjo situatë ka sjellë edhe anulime dhe ri-skedulime të fluturimeve, por jo deri në pikën e ndalimit total të fluturimeve.
Duke qenë se kompania ende ka një licence aktive nga autoriteti italian deri më dt. 13/01, pasagjerët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë dhe/ose agjencinë ku kanë prerë biletën dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.
Nëse pasagjerët nuk e kryejnë dot fluturimin me Ernest dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, atyre u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet në adresën:
https://form.jotformeu.com/82412077858362…
Kërkesën për rimbursim duhet t’a bëjnë edhe pasagjerët që kanë prerë bileta përtej datës 13 Janar 2020.
Është shumë e rëndësishme që pasagjerët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së.
– Në rast se kompania do dështoj t’i tregoj autoritetit Italian, aftësinë për të mbajtur të vlefshme licencën e operimit, bazuar në legjislacionin e shtetit fqinj, asaj do i duhet të zbatoj hapat e mëtejshëm sipas legjislacionit italian.
– Në lidhje me rimbursimet dhe/ose kompensimet në rast se kjo ndodh, pasagjerët këshillohen të zbatojnë udhëzimet që do të dalin në vijim nga autoriteti italian dhe/ose entitete të tjera shtetërore në vendin fqinj.
AAC është duke ndjekur situatën e kompanisë italiane “Ernest” dhe do të kërkoj në vazhdimësi kompanisë dhe autoriteteve italiane, garantimin e respektimit të të drejtave të pasagjerëve të prekur, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie.
AAC në përputhje me legjislacionin evropian dhe shqiptar, që rregullon të drejtat e pasagjerit, në një situatë sikurse po kalon kompania italiane, do publikoj rast pas rasti informacione të përditësuara me qëllim që të ndihmojmë pasagjerët në vendimmarrjet e tyre.