Komunitetet Fetare në Shkodër: Qëndroni në shtëpi. Lutuni Zotit

Shqipëria është në karantinë dhe në shtetrrethim por kjo nuk e ndaloi virusin vdekjeprurës që të përhapet. Shkodra është bërë një vatër e rrezikshme, ku deri më tani ka 71 persona të infektuar. Në këto ditë të tepër të vështira për të gjithë qytetarët shkodran vjen një mesazh nga komuniteti fetar i këtij qyteti. Imzot Angelo Massafra, Myftiu Muhamed Sytari dhe At Nikolla Petani në një videomesazh me të dërguarin e qeverisë Besfort Lamallari, shprehin lutjet e tyre që kjo situatë të kalojë së më parë. Ata i bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Shkodrës që të respektojnë rregullat dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Imzot Angelo Massafra: Është e vërtetë, pa një vaksinë do jetë e vështirë që ta mundim këtë të keqe dhe vetëm shkencëtarët mund ta shpikin atë. Të gjithë kemi mundësinë që të parandalojmë përhapjen e këtij virusi. I kuptoj vështirësitë e një jetë që na privon nga shumë gjëra, por e di që populli ynë gjithmonë ka treguar një forcë dhe një guxim të madh në vështirësitë që historikisht i është dashur ti përballojë. Ky është momenti për ta treguar këtë guxim, duke bërë thirrje disa karakteristikeve që nuk na mungojnë si popull. Feja në hyjn na jep forcën për të tejkaluar vështirësitë. Solidariteti dhe mikpritja tona të japin rastin për të ndihmuar ata që janë më nevojtare se ne dhe ajo krenari e shëndoshë tipike shqiptare që gjithmonë na ka ndihmuar për të dalë me kokën lartë prej të gjithë situatave të vështira.

Myftiu Muhamed Sytari: Lutja ime dhe thirrja ime është që të kemi kujdes për shëndetin tonë, për sigurinë tonë. Të bëjmë çmos që të ruhemi me shpresën dhe optimizmin, me besimin tonë, me vullnetin e Zotit për të cilin jemi të bindur se ka zgjedhur dhe zgjedh për ne më të mirë. Lutemi me zemër që të ruhemi, të distancohemi nga tubimet në të cilat jemi mësuar të jemi të pranishëm kohë më parë, por tani jemi të imponuar të distancohemi prej tyre, për të mirën tonë dhe të familjarëve tanë, për të mirën e Shkodrës dhe të mbarë vendit tonë. Me zemër lutem që Zoti i gjithsesi të na mishërojë e të na bekojë dhe këto sprova që po kalojnë të jenë momente reflektimi për të kuptuar rëndësinë e jetës, lirisë, rëndësinë e përfitimit nga çdo moment për tu afruar me Zotin dhe njëri-tjetrin.

At Nikolla Petani: Së bashku vëllezër dhe motra lutem për ato viktima që kemi pasur në vendin tonë. Kur shkon afër Zotit një jetë, kemi një person më pak në vendin tonë. Por Zoti e deshti kështu, Zoti në vë në sprovë që ne ti kalojmë sprovat. Është e paimagjinueshme për ne besimtarët ortodoksë që javën e pashkës ta kalojmë pa besimtarë në kishat tona. Por ky është një detyrimi që kisha jep. Kisha thotë ju lutem qëndroni në shpia, ktheheni shtëpinë në kishëza të vogla, lutuni, lavdëroni Zotin çdo ditë, sepse do ta kalojmë të gjithë së bashku, sepse Shqipëria është mësuar dhe me sprova të tjera. Të gjithë së bashku, me lutjen e Zotit do t’ia kalojmë edhe kësaj radhe. Unë lutem për policinë e shtetit që është në shërbimin tonë. Një falënderim është për doktorët dhe infermierët. Nëse bëhemi bashkë duke lënë mënjanë sharjet, fyerjet dhe politikën, por duke u bashkuar me Zotin me qëllimin e përbashkët që ne do ta mposhtim virusin së bashku, sepse Zoti është me ne. Nëse Zoti është me ne asnjë person nuk mund të jetë kundra nesh. Forca e Zotit është më e madhe se forca e virusit.

SHKARKO APP