Konferenca e medieve në Evropën Juglindore në Tiranë: Gazetaria në kohë krize
“Gazetaria në kohë krize”, është tema e Konferencës së 8-të të Medieve në Europën Juglindore, që do të nisë punimet të hënën. Kjo konferencë do të shërbejë si një thirrje për të afirmuar rëndësinë e gazetarisë si një e mirë thelbësore publike dhe shtyllë e shoqërive demokratike. Janë 5 sesione, ku do të trajtohen tema të ndryshme.
Sesioni i parë fokusohet në çështjen e dezinformimit dhe shkaqet e tij, rrezikun që i kanoset dhe roli që mund të luajë gazetaria për ta parandaluar.
I dyti trajton praktikat dhe përpjekjet më të mira për të lehtësuar situatën e rënduar të gazetarëve në rajon, përfshirë pengesat me të cilat ata përballen në kryerjen e detyrës dhe lirinë e fjalës.
Sesioni i tretë do të trajtojë përfshirjen dhe një përfaqësim të barabartë të grave në sektorin e medies, një çështje që ka qenë në fokus të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe do të shërbejë si një platformë për diskutimin e sfidave profesionale të kohës dhe rreziqet e veçanta gjinore me të cilat përballen gazetarët në rajonin e Evropës Juglindore.
Mjedisi ligjor i rajonit dhe pasojat e tij për fjalën e lirë dhe lirinë e medies do të formojnë boshtin e sesionit të katërt. Së fundmi, sesioni i pestë do të ofrojë një mundësi për gazetarët e rinj në rajon.