Konferenca e ministrave të rajonit, largimi i të rinjve dhe arsimi cilësor
Dëshirën për t’u larguar nga vendi nuk e kanë vetëm të rinjtë shqiptarë, edhe në vendet e rajonit dëshira është po e njëjta. Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e BE-së, por këta të rinj bëhen pjesë e saj sapo kalojnë kufirin.
Nisur nga shifrat shqetësuese nga Tirana ministrat e vendeve të rajonit u përpoqën që të jenë joshës ndaj të rinjve. “Janë 52% e të rinjve në Ballkan që duan të ikin, është alarmante. Kanë nevojë për arsimim më të mirë, pjesëmarrje në vendimmarrje si dhe në biznes. Përballë problemeve që i njohin duhet të japin zgjidhje më efektive. Puna kryesore duhet të nis nga qeveria e çdo shteti për nxitur frenimin e emigracionit”, tha sekretari i përgjithshëm i RYCO, Albert Hani.
“Jo më kot kemi një ministri. Kemi përparësi arsimin, punësimin, dixhitalizimin. Unë personalisht jam habitur që të rinjtë shqiptarë kanë dëshirë të madhe për vullnetarizëm dhe praktika pune”, tha ministrja Bora Muzhaqi. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjatë viteve 2005-2020, nga Shqipëria janë larguar mbi 424 mijë persona.