Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë i bashkohet ftesës së Papa Françeskut, lutje dhe agjërim për paqen në botë
Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë i bashkohet ftesës së Papa Françeskut për t’u lutur dhe agjëruar për paqen në botë më datë 7 tetor 2024. Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, i ka bërë jehonë kësaj ftese, të cilën Papa e bëri gjatë Meshës së kremtuar në sheshin e shën Pjetrit me rastin e fillimit të Sinodit të Ipeshkvijve më datë 2 tetor 2024, theksohet në deklaratë. Kisha katolike në vendin tonë, këtë ftesë ia shtrin jo vetëm katolikëve, por edhe bashkësive të tjera fetare në Shqipëri dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë. Ja teksti që Imzot Meta ka shpërndarë në ditën e djeshme nga Roma, ku është i pranishëm në punimet e Sinodit:
Të dashur vëllezër e motra, në Meshën e hapjes së Sinodit të Ipeshkvijve, i cili ka nisur sot në Romë, Ati i Shenjtë Papa Françesku, na ka ftuar të gjithëve që datën 7 tetor 2024 t’ia kushtojmë lutjes dhe agjërimit për paqen. Të gjithë jemi në dijeni dhe po e shohim përditë përshkallëzimin e luftës, sidomos në Ukrainë dhe në Lindjen e mesme. Situata është delikate, prandaj Papa Françesku na fton të lutemi me ngulm për paqen.
Kësisoj, ftoj të gjithë Ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, rregulltaret dhe besimtarët laikë të dioqezave tona të Shqipërisë, që t’i përgjigjemi kësaj ftese të Papa Françeskut. Ftoj edhe të gjitha komunitetet e tjera fetare në Shqipëri që t’i bashkohen kësaj nisme e t’i kërkojmë me ngulm njëzëri, të njëjtit Hyj që na bashkon, paqen për botën e midis njëri-tjetrit. Kjo ftesë u shtrihet edhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, pavarësisht besimit apo mosbesimit të tyre, që të ushqejnë mendime, dëshira dhe vepra paqeje e t’i bashkohen me mendje dhe zemër Papa Françeskut dhe të gjithë atyre që vuajnë nga lufta dhe konfliktet e ndryshme.
Kemi të gjithë përgjegjësi për paqen në botë, e t’ia nisim nga zemrat tona, nga familjet e komunitetet tona shoqërore e politike, për ta shtrirë paqen midis nesh e midis kombeve. Mundemi dhe duhet të jetojmë në paqe me njëri-tjetrin. T’i lutemi Zotit për paqen në të gjithë botën sidomos aty ku ka luftë dhe konflikte! Paqja është vepër e Zotit dhe e njerëzve vullnetmirë. Zoti e do paqen, ta duam e ta kërkojmë edhe ne, duke u lutur e duke agjëruar! Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, i përgjigjen pozitivisht ftesës së Papa Françeskut dhe thirrjes së Imzot Metës, duke caktuar datën 7 tetor si ditë lutjeje për paqen në mbarë Kishat, qendrat baritore dhe vendet ku zhvillohet veprimtaria e saj.