Konferencë “kreditorësh”, Shano: Efektet nuk do të ndihen këtë vit
Ekonomisti Dritan Shano është skeptik për pjesën e huave të ofruara, duke e quajtur atë të Brukselit një Konferencë “kreditorësh”. “Nuk kemi marrë akoma asgjë, nuk na janë akorduar. Ajo që ka ndodhur në Bruksel është që na janë premtuar të na jepen 1,15 miliardë euro. Nga të cilat, 269 milionë euro janë grante dhe të tjerat janë në formë kredie. Shqipëria prej kohësh është graduar mjaftueshëm nga agjencitë e vlerësimit për të marrë kredi në tregun ndërkombëtar. Qeveria po kërkon që do të marrë së shpejti 600 milionë euro kredi. Kjo është më e sigurta nga të gjitha premtimet e deritanishme”, tha Shano i ftuar në A2.
“300 milionë do të përdoren për të shlyer borxhin aktual që kemi dhe 300 milionë të tjera janë kredi “puro” për ekonominë, pra një borxh i rritur. Të gjitha premtimet e djeshme do të negociohen një e nga një. Ajo që unë vura re është se shumica e njerëzve që folën vunë theksin te nevoja për transparencë dhe përgjegjshmëri”.
Sipas tij, lëvrimi i këtyre fondeve do të kërkojë kohë, çka mund të pengojë ritmin e rindërtimit. ”Kreditë nuk i pres të lëvrohen këtë vit. Mendoj që kohët burokratike do të jenë të tilla që efektet e tyre në ekonominë shqiptare dhe efekti te të prekurit nga tërmeti vështirë se do të ndihet këtë vit. Mendoj që 200 milionë eurot e rialokuara në buxhetin e shtetit, paraja që do të merret borxh dhe grantet do të ndjehen në ekonomi”.