Konfirmohen 23 raste të reja me koronavirus, 2 prej tyre personel mjekësor

Ministria e Shëndetësisë raporton se gjatë 24 orëve të fundit kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 23 persona, duke e çuar në 1122 numrin total të të infektuarve.

Sipas MSH, rastet e reja janë në bashkitë e Tirasnës, Matit, Durrësit, Lushnjes, Krujës dhe Librazhdit.

Deklarata e Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik:

Ju informojmë rreth situatës së COVID 19 në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 229 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 23 raste pozitive. Shpërndarja e rasteve të reja pozitive është si vijon: 16 raste janë identifikuar në Tiranë, 2 në Mat, 2 në Lushnje, 1 në Durrës, 1 në Krujë dhe 1 rast në Librazhd.

Nga totali i të prekurve të identifikuar në 24 orët e fundit, 19 janë kontakte të rasteve të mëparshme të konfirmuara pozitive, ndërsa për 4 raste po vazhdon hetimi epidemiologjik. Në 24 orët e fundit janë testuar 21 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitive 2 raste. Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 26 pacientë, nga të cilët 4 janë në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar në gjendje të rëndë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 6 qytetarë, duke e çuar në 857 numrin e të shëruarve. Nga fillimi i epidemisë janë kryer rreth 16 mijë testime molekulare dhe serologjike. Që nga fillimi i epidemisë janë 1122 raste të konfirmuara, prej të cilëve aktualisht janë 232 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë. Vijojnë testimet serologjike te personeli shëndetësor. Deri tani janë mbi 1450 të testuar me një përqindje të përgjithshme pozitiviteti rreth 9%.

Në këtë situatë mbetet shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët zbatimi i masave të rekomanduara. Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm. Ruani distancimin fizik dhe higjienën personale. Kur kolliteni apo tështini përdorni shami letre ose këndin e brrylit dhe lani duart sa më shpesh. Evitoni ambientet e mbyllura dhe grumbullimet me shumë njerëz.

Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo shqetësim telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (30 Maj 2020)
Testime totale 15950
Testime molekulare 14498
Testime serologjike 1452
Raste pozitive 1122
Raste të shëruara 857
Raste Aktive 232
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 137
Durrës 39
Krujë 16
Shkodër 11
Kamëz 9
Mat 8
Lushnje 6
Berat 2
Fier 2
Korçë 1
Librazhd 1

SHKARKO APP