Konflikti 2-vjeçar Berisha-Basha për vulën e PD, beteja do vijojë edhe në 2024
Konflikti mes dy grupimeve brenda Partisë Demokratike se kujt i përket vula e partisë më të madhe në opozitë, nisi në shtator të vitit 2021 kur Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, i shpallur ”non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Berisha nisi fushatë nëpër qytete të cilën e emëroi Rithemelimi dhe thirri Kuvendin e partisë më 11 dhjetor 2021 jashtë strukturave ekzistuese duke u zgjedhur dhe kryetar.
Në mars 2022 gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Agron Zhukri i dha të drejtë grupit të Rithemelimit për të regjistruar ndryshimet në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021 të cilin e konsideroi të ligjshëm.
Në Gjykatën Civile të Tiranës ka mbetur pezull shqyrtimi i kërkesës së Lulzim Bashës për miratimin e ndryshimet në statutin e partisë në Kuvendin Kombëtar të 2 shtatorit 2023.
Ndërsa konflikti duket që do të vijojë edhe në 2024, Sali Berishës i duhet të përballet me drejtësinë pasi është në hetim për akuzën e korrupsionit lidhur me aferën e privatizimit të kompleksit Partizani. Berisha po përgatitet për tu izoluar në shtëpi pasi SPAK kërkon që Berisha të qëndrojë në arrest në shtëpi me mbikqyrje policore gjatë këtij procesi hetimor.