Konflikti për godinën, ligji për partitë politike detyron Bashkinë e Tiranës t’i sigurojë zyra FRD

Vetëm 7 ditë pasi Fryma e Re Demokratike firmosi marrëveshjen e koalicionit me Partinë Demokratike, në zyrë i shkoi një letër që i kërkonte lirimin e ambienteve të selisë brenda 10 ditëve.

Letra e Bashkisë së Tiranës, që i kërkonte zotit Sali Shehut të linte zyrat, nuk kishte numër protokolli, emër titullari dhe as firmë e vulë, por pavarësisht kësaj, pasi kaloi afati 10 ditor policia bashkiake u vendos në hyrje të zyrave të FRD-së dhe nuk lejoi zyrtarët e kësaj force të futen në seli.

Nëse ky vendim i policisë Bashkiake ishte në zbatim të ligjeve apo jo, mbetet për t’u gjykuar nga drejtësia, por ajo që mund të evidentojmë është se ligji për partitë e detyron Bashkinë e Tiranës t’i sigurojë zyra Frymës së Re Demokratike. E drejta për t’u pajisur me ndërtesë për selitë e tyre u takon atyre partive që kanë marrë mbi 1% të votave në zgjedhje.

Nga verifikimi i bërë në dy zgjedhje, FRD-ja në votimet e 2013 ka marrë 1,7% të votave dhe në 2017 0,33% në rang kombëtar. Mesatarja e dy zgjedhjeve të fundit është mbi 1%. Prandaj ligji për partitë politike e detyron shtetin t’i sigurojë zyra kësaj force politike.

Ndërsa, Bashkia e Tiranës e interpreton ndryshe këtë ligj. Sipas saj, ligji për partitë politike përcakton qartë se bashkitë duhet t’u sigurojnë seli vetëm partive politike që kanë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë rast, sipas bashkisë, FRD-ja jo vetëm nuk e plotëson këtë kusht, por dhe kontrata e përdorimit i ka skaduar prej 4 vitesh, prandaj duhet të lirojë zyrat në katin e tretë të godinës.

SHKARKO APP