Kongresi i PS, Pëllumbi: Një parti funksionon falë organizmit të strukturave, e kemi provuar dhe më parë

Partia Socialiste më 12 qershor do të mbledhë Kongresin e Jashtëzakonshëm, në 30-vjetorin e krijimit të kësaj force politike, ku do të paraqesë edhe vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës.

Sekretari organizativ i PS, Arben Pëllumbi i ftuar në Ora News tha se ky do të jetë një kongres ku do të flitet për të ardhmen, dhe se PS do të rikonstruktohet. Kjo është një procedurë normale për PS, sipas zotit Pëllumbi. Ai gjithashtu tha se në këtë kongres do të ketë edhe festime me rastin e 30-vjetorit të krijimit të PS.

Pëllumbi: “PS e ka në statutin e saj të sanksionuar që mbas çdo procesi zgjedhor, kalon në një proces analizash dhe zgjedhjesh në strukturat e veta bazë. Pra në çdo 2 vjet struktura bazë socialiste kalon në një proces analize dhe për rrjedhojë edhe zgjedhjesh. Kush nuk ka performuar si duhet largohet dhe vijnë të rinj. Ky është një proces normal. Përveç të gjithë përgjegjësive që na obligon ky mandat i tretë ndaj qytetarëve, është edhe në mënyrë të natyrshme ndjenja e gëzimit dhe ku më bukur se sa në 30 vjetorin e Partisë Socialiste në një kongres mund të festojmë me të gjithë socialistët bashkë. Ky proces do të shkojjë rreth 6 muaj, deri në fundin e vitit.”

Ndryshe nga Kongresi i kaluar, në 12 qershor do të çelet edhe një fushatë për anëtarësime të reja në PS.

Pëllumbi: “Do të jetë më i koncentruar, Kongresi do të ketë vendimin për çeljen e fushatës zgjedhore. Mendojmë që të nisim edhe një fushatë të re anëtarësimesh “bashkohu me Partinë Socialiste” dhe të gjitha  këto piketa të cilat do t’i hedhë Kongresi i Partisë në datën 12 qershor.”

Përsa i përket largimeve nga Partia, Pëllumbi tha se procesi do të analizojë mangësitë dhe përformancën dhe do të marrë masat e duhura.

Pëllumbi: “Kongresi do të hedhë piketat e analizës, do të aprovojë, do të  marrë vendim për çeljen e fushatës së analizave dhe për çeljen e fushatës së anëtarësimeve të reja. Ky është një proces që zgjat rreth 6 muaj dhe sigurisht do të bëjë analiza duke filluar nga baza e partisë deri te nivelet më të larta ku në qendër të vëmendjes është ku nuk kemi performuar si duhet të shikohet se pse ka ndodhur ky lloj rezultati dhe të marrim masat e duhura. Ne bëjmë analizat tona duke parë se ku ishin mangësitë dhe shikojmë të ndreqim ato që duhen ndrequr.”

SHKARKO APP