Konkursi kombëtar i gjuhës shqipe, Ministrja Manastirliu: Konkurrencë e fortë mes shkollave nga veriu në jug

Faza e dytë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe po zhvillohet me konkurrencë të fortë mes nxënësve të klasave të 9-ta nga çdo cep i Shqipërisë, nga veriu në jug. Kështu u shpreh sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale, ku ndau momente nga zhvillimi i konkursit në disa shkolla të vendit.

“Ekipet e shkollave të Durrësit, Shkodrës, Selenicës, Shijakut, Belshit, Elbasanit, Bulqizës, Rrogozhinës, Fierit etj., po përballin dijet dhe po shfaqin pasionin për gjuhën shqipe”, tha Manastirliu. Faza e dytë e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe nisi më 18 mars dhe do të zgjasë deri më 29 mars. Në këtë fazë marrin pjesë 5600 nxënës të klasave të 9-a nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Ata po sfidojnë njëri-tjetrin, me njohuritë dhe aftësitë gjuhësore dhe komunikuese.

Konkursi zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranin e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Ky konkurs ka tërhequr një vëmendje të veçantë, pasi zhvillohet në kuadër të Vitit të Gjuhës Shqipe, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

SHKARKO APP