Konsensusi për Komisionet Hetimore, Shehu: Hap i vogël, ende tymnajë. Kauza kryesore është Berisha
Duke komentuar konsensusin e arritur midis mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e dy komisioneve parlamentare, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në një lidhje për ”Open”, tha se kjo një arritje e vogël dhe se kauza kryesore e opozitës është çështja e arrestimit të Sali Berishës.
”Është një hap i vogël përpara në suazën parlamentare. Por, që nuk është determinues, nuk është thelbësor dhe nuk është ai që i duhet rënë tambureve të suksesit. Këto muajt e fundit kanë ndodhur zhvillime të tjera, të një revanshi të egër të regjimit ndaj Partisë Demokratike, të pa imagjinueshme. Lideri i Partisë Demokratike është burgosur në mënyrë politike. Midis këtyre ngjarjeve kush prevalon, kjo apo çështja e dy komisioneve.
Nuk është marrëveshje. Është thjesht një tymnajë. Duhet të vendosim flamurin; lironi kryetarin e Partisë Demokratike. Nuk mund të merresh me gjëra dytësore kur deviza kryesore është kjo. Është akti më dëmtues për Partinë Demokratike. Pa dyshim që ka disa kauza në Partinë Demokratike dhe kauza që prevalon është ajo e Sali Berishës. Të mos ngatërrojmë gjëra që pa dyshim kanë ndikim por nuk janë determinuese”, tha Shehu.