Konstitucionalisti: Kryeministri nuk zhvillon zgjedhje pa datë nga Presidenti
Sokol Hazizaj, konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Kryeministri (Rama) nuk e ka tagrin kushtetues që të zhvillojë zgjedhje pa dekretin e Presidentit të Republikës. Hazizaj argumenton se dekreti i Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve pranuar në mënyrë bindëse, detyruese dhe shteruese, ndërsa Parlamenti nuk ka tagrin kushtetues të veprojë kundër dekretit të Presidentit, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese.
Zoti Hazizaj, A ka kompetenca Kushtetuese Presidenti i Shqipërisë të anulojë datën e zgjedhjeve pa marrëveshje nga palët politike?
Në situatën e krijuar domosdoshmërish palët duhet të ulen në dyshemenë kushtetuese, për të kuptuar se sa larg këto vite janë larguar, duke e keqinterpretuar atë, pse jo duke e denigruar pafundësisht duke filluar që nga viti 2008. Në këtë kuptim, duhet jo vetëm pritur argumenti apo arsyetimi juridik i aktit të Presidentit të Republikës, por duhet pranuar në mënyrë bindëse, detyruese dhe shteruese, siç është dhe blanket në nenet 1,1 dhe 92. gj të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parashikimi i nenit 1.1 i Kodit zgjedhor. Në mënyrë të shkurtër dhe saktë duhet pranuar se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike, detyrime të cilat zgjidhen me akt normativ, të llojit të dekretit të Presidentit të Republikës.
Parë në këtë vështrim, ky detyrim përmban në vetvete koordinimin e garancisë juridike për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur nëpërmjet të drejtës së të gjithë qytetarëve që kanë arritur moshën ligjore. Kjo frymë nuk përjashton asnjë prej organeve të cituara në Kushtetutë, që nëpërmjet akteve të tyre detyruese të ngelen pa reaguar në formën dhe përmbajtjen e duhur. Kështu, duhet parë së paku dhe nisma e Presidentit të Republikës me aktin e shfuqizimit të datës së zgjedhjeve.
Nuk duhet ngatërruar nocioni i barazisë përpara të drejtës zgjedhjeve dhe në zgjedhje me rezultatin e tyre. Kjo e dyta e pranon masën mbi të cilin vendoset kush duhet dhe do të qeverisë, ndarë e para, pra garancia juridike për të zgjedhur apo marrë pjesë në barazi nuk ka masë, përveç se është e drejtë e kujtdo. Çdo interpretim tjetër është i padrejtë dhe jo proporcional. Sa më sipër reagimi i Presidentit të Republikës në vështrimin formal dhe juridik është tërësisht i ligjshëm dhe brenda konceptit dhe frymës kushtetuese.
A mundet dot Kryeministri dhe kryetari i mazhorancës të zhvillojnë zgjedhjet, edhe pse Presidenti i Shqipërisë i ka anuluar?
Nisur nga koncepti kushtetues dhe ligjor, Kryeministri, në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndihmon ose dëmton administrimin e procesit zgjedhor, detyrime të parashikuara në nenet 4 dhe vijues të Kodit zgjedhor por në asnjë rast, nisur nga pozicioni hierarkik në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nuk mundet dhe nuk ka as sesi të zhvillojë zgjedhje pa datë, të lidhur me një akt që nuk është kompetencë e tij.
Nga ana tjetër, domosdoshmërish duhej që faktorët politik të njoftoheshin, në se nuk janë njoftuar, për çdo përpjekje në ndryshim. Kjo është më tepër politike, se sa ligjore. Në fund të fundit procesi zgjedhor duhet kuptuar si detyrim dhe garanci ndaj të drejtës së shtetasve apo zgjedhësve, se sa e drejtë e politikbërësve. Ndaj ekzistojnë organet me detyrat e tyre funksionale dhe ligjore.
Në pamundësi të ushtrimit dhe prej njërit prej tyre, Kushtetuta ka zgjidhur si gjithmonë konfliktin nëpërmjet akteve ligjore. Në rastin konkret këtë ka bërë, ka ndarë rolet ligjore, sigurisht dhe përgjegjësitë në përcaktimin e datës, administrimit dhe rezultatit.
Ka kompetenca Kushtetuese Parlamenti të anulojë dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve?
Në kuptimin kushtetues, parlamenti nuk e ka tagrin të ushtrojë kompetencën si me aktet e tjera nominal të Presidentit të Republikës. Kushtetuta i ka ndarë në mënyrë të qartë kur dhe si ndërhyn Kuvendi i Shqipërisë mbi aktet dhe cilat prej tyre, të prodhuara nga Presidenti Republikës. Mund të ketë të tjera nisma, të cilat, do të kërkonin ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Anulimi i datës së zgjedhjeve nga President i Shqipërisë pa marrëveshje me palët politike a përbën precedent që Parlamenti të kërkojë shkarkimin e Presidentit të Republikës?
Kushtetuta në përmbajtjen e saj, veçanërisht në nenet 90 dhe 91 të saj jep rastet kur Presidenti shkarkohet, fakt i cili kërkon domosdoshmërish ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese
Nëse palët politike nuk pajtohen për datën e re të zgjedhjeve a mundet Presidenti i Shqipërisë të shpërndajë parlamentin e të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Vazhdoj t’i qëndroj fort faktit të kahershëm, që politikanët tanë konfliktin e kanë pjesë të marrëveshjes.