Konsulli i nderit i Ukrainës, Bajraktari: 5-7 mijë shqiptarë janë në zona të rrezikuara
Frika për nisjen e një lufte mes Rusisë dhe Ukrainës, ka vënë në panik edhe shqiptarët. Konsulli i nderit i Ukrainës në Shqipëri, Bledi Bajraktari, tha se në Ukrainë, dhe jo vetëm, është krijuar një gjendje paniku, edhe pse popullsia vendase atje është mësuar tashmë me këtë situatë.
“Çdo gjë mund të ndodhë, por jeta vazhdon, çdo gjë funksionon normal. Zhvillimet janë shqetësuese, por gjërat gjatë kohës do të normalizohen, përmes përpjekjeve diplomatike. Shpresojmë të mos ndodhë ndërhyrja ushtarake, mund ta quajmë katastrofike deri diku. Rusia është ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s, në arenën ndërkombëtare. Ukraina kërkon të marrë tashmë pavarësinë që i takon, të cilën e shpallur prej 30 vitesh tashmë, por ndikimi rus e ngadalëson këtë”, tha Bajraktari në Ditarin e A2 CNN.
Ai thotë edhe në Ukrainë jetojnë disa mijëra shqiptarë. ”Janë rreth 5-7 mijë shqiptarë që kanë ikur prej vitesh atje. Ata janë në zonë të rrezikuar, sepse janë në zonën e Odesës, një nga zonat ku mund të hyjë Rusia. Nuk mendojnë të largohen, e kanë jetën e tyre të lidhur me Ukrainën”.