Konsulli takon vajzën e shqiptarit që kërcënoi të vetëhidhej nga kati i 12-të në Selanik
Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik është në takim me vajzën e shqiptarit, i cili për disa orë mbajti në panik policinë në Selanik duke kërcënuar se do të vetëvritej duke u hedhur nga kati i 12-të.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik sapo mori dijeni për ngjarjen e ndodhur gjatë pasdites së sotme të një shtetasi shqiptar me banim në Lagkada, i cili ka tentuar t’i japë fund jetës së tij për motive personale, është vënë në kontakt menjëherë me drejtuesit e Rajonit Qendror të Policisë në Selanik si dhe është takuar tanimë edhe me vetë shtetasin, i cili ndodhet aktualisht në këtë rajon.
Konsullata është lidhur menjëherë edhe me familjarët e shtetasit dhe aktualisht, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik është në takim me vajzën e shtetasit duke ndjekur situatën në vijimësi për të gjetur mundësinë e zgjidhjes sa më parë, në ndihmë të shtetasit shqiptar” thuhet në reagimin e konsullatës shpërndarë nga zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme.
Pas disa orë negociata shqiptari u bind të tërhiqej mbrapsht.
Diku pas orës 18:00, ai u ngrit nga çatia ku ishte ulur dhe u mor në dorëzim nga policia të cilët e zbritën poshtë.
Fillimisht u dërgua në stacionin policor për tu transferuar më pas në një spital psikiatrik për mjekim.
Siç raportojnë mediat greke, kërkesa e vetme e tij ishte pajisja me dokumenta qëndrimi nga shteti grek.