Kontjana Kuçi: Rilindja duhet falënderuar se i mori LSI-së në Durrës individët më të kompromentuar
Rreth një vit e gjysmë pas “shkrirjes” së degës si rezultat i përjashtimit të deputetit Lefter Koka, njëkohësisht edhe ish-kryetar për shumë vite i degës lokale, LSI Durrës ka përfunduar ristrukturimin e degës dhe në krye të saj janë emëruar figura të reja të kësaj force politike. Një prej tyre është Kontjana Kuçi, kryetarja e degës së Durrësit, një intelektuale e re që së bashku me ekipin drejtues synojnë ta hapin partinë drejt rinisë, njerëzve të thjeshtë, profesionistëve etj.
Në një intervistë për portalin e Durrësit, kryetarja e LSI në Durrës, Kontjana Kuçi shprehet se “Dikur parti e mbajtur peng dhe me dyer të mbyllura për shkak të atyre që e konsideronin atë si pronë të tyre, sot LSI Durrës është një parti me dyer të hapura, shpresëdhënëse për Durrësin, e drejtuar nga një ekip i ri me njerëz plot integritet, profesionistë dhe ekspertē, me filozofinë e vetme për t’i shërbyer banorëve të Durrësit dhe jo për t’u përdorur për përfitime personale”.
Kontjana Kuçi është e bindur që më 25 prill Durrësi do të ndahet njëherë e mirë nga “sekti i betonit dhe korrupsionit, nga individë aferash betonizimi apo plehrash”. I drejtuar prej 20 vitesh nga kryebashkiakë që vinin nga rradhët e PS-së, sipas kryetares Kuçi qyteti bregdetar do t’i rikthehet qytetarëve.
“Për një kohë të gjatë Durrësi ka qenë nën kthetrat dhe drejtimin e mafias, pas 25 prillit qyteti ynë dhe e gjithë Shqipëria do i kthehet njerëzve të thjeshtë”,- deklaron ajo.
Por kush është Kontjana Kuçi, si synon të transformohet LSI Durrës nga një parti emrash në një parti të hapur, ç’do të ndodhë me ish-figura të njohura të LSI-së në qytetin bregdetar, cila është strategjia për të afruar sa më shumë të rinj në strukturat dhe forumet partiake? Përgjigjet e të gjitha këtyre pyetjeve por edhe shumë të tjerave, i gjeni në intervistën e mëposhtme.
Kush është Kontjana Kuçi, kur ka nisur angazhimi juaj pranë LSI dhe si ndjeheni tani që ju është ngarkuar detyra për të drejtuar një nga degët më të rëndësishme në rrethe?
Kam lindur në Durrës dhe kam kryer studimet e larta për juridik në Universitetin e Tiranës, master shkencor në të Drejtën Civile dhe në vazhdim master Administrim Biznes.
Angazhimi im me LSI ka nisur që në vitin 2007. U angazhova me strukturat rinore në Durrës. LSI që në fillimet e saj ka shërbyer si promotore e të rinjve ndaj edhe shumë të rinj e të reja që u bashkuan me familjen tonë politike u përfshinë jo vetëm në vendimmarrje, por edhe u zgjodhën nga anëtarët si kryetarë të LSI në degë apo edhe u votuan deputetë në Kuvendin e Shqipërisë nga shqiptarët.
Mua më është ngarkuar detyra e kryetares së LSI Durrës dhe ky është një privilegj i jashtëzakonshëm, pasi jo vetëm që Durrësi është qyteti që meriton një respekt të veçantë por edhe ekipi që drejton LSI Durrës është një risi për politikën shqiptare.
LSI Durrës shkon drejt fitores së 25 prillit me një arsenal të çmuar të intelektualëve dhe profesionistëve të shquar të Durrësit dhe të jesh bashkëpunëtore e një ekipi të tillë është privilegj i veçantë. Të gjithë së bashku ne do i kthejmë Durrësit respektin dhe qytetarinë që meriton. Dhe mbi të gjitha shpresën për një të ardhme më të mirë.
Në takimin prezantues, kryetarja Monika Kryemadhi nënvizoi se pranë LSI Durrës janë afruar figura të reja, profesionistë të lirë etj. A ka përfunduar tashmë ristrukturimi i degës dhe cilat janë grupmoshat apo target grupet e shoqërisë që janë afruar më shumë pranë LSI Durrës?
LSI Durrës ka përfunduar ristrukturimin e saj të plotë. E gatshme të fitojë betejën e rradhës edhe sikur zgjedhjet të beheshin nesër. Pranë LSI Durrës janë afruar kategoritë më elitare të qytetit, intelektualë, mjekë, juristë, ekonomistë, sportistë, të rinj e të reja të mirëarsimuar, grupmosha të ndryshme me dëshirën për të ndryshuar Durrësin dhe për t’i rikthyer shpresën Shqipërisë.
Ky potencial i jashtëzakonshëm do sjellë ndryshimin e madh jo vetëm në Durrës por në të gjithë Shqipërinë. Kjo elitë është përfshirë në strukturat drejtuese të LSI Durrës dhe do luajë një rol të rëndësishëm në fitoren e madhe të 25 prillit.
Çdo ditë LSI Durrës pret figura të reja të cilët i bashkohen familjes sonë politike. Për një kohë të gjatë Durrësi ka qenë nën kthetrat dhe drejtimin e mafias, pas 25 prillit qyteti ynë dhe e gjithë Shqipëria do i kthehet njerëzve të thjeshtë.
Drejtuesit e LSI-së kanë theksuar përherë që ju jeni parti e të rinjve. A janë në fokusin e LSI Durrës të rinjtë dhe si po punohet me ta për t’i bërë pjesë të forumeve të partisë?
Që në krijimin e saj LSI ka patur në themel të misionit të saj rininë. Rinia ka qenë shtylla dhe motori i filozofisë dhe aktivitetit politik të LSI. Rinia është pjesë e madhe dhe e rëndësishme e forumeve tona drejtuese dhe strukturës së LSI. Zëri dhe idetë e të rinjve janë shtysa drejt një fitore të sigurtë.
“Rilindja” e largoi rininë. Nuk hapi as edhe një vend pune për të rinjtë dhe të rejat e Durrësit. Ne kemi politika punësimi, arsimi dhe zhvillimi, në mënyrë që të rinjtë të jenë arkitektët e ideve të tyre në këtë qytet, në këtë vend. Që ta ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre. Që të kenë shpresë dhe të kenë mundësi të shumta për karrierë dhe për të përmbushur ëndrrat e tyre.
Për shumë vite me radhë, LSI Durrës është identifikuar me deputetin Lefter Koka. Me largimin e tij ikën edhe shumë emra të njohur të forumeve drejtuese. Sa e ka dëmtuar kjo LSI Durrës?
LSI Durrës është sot më e fortë se kurrë. LSI nuk ka asnjë dëmtim, përkundrazi ka rritje. Rritje që nuk e ka përjetuar kurrë që nga fillimet e saj. Dikur parti e mbajtur peng dhe me dyer të mbyllura për shkak të atyre që e konsideronin atë si pronë të tyre sot LSI Durrës është një parti me dyer të hapura, shpresëdhënëse për Durrësin, e drejtuar nga një ekip i ri me njerëz plot integritet, profesionistë dhe ekspertē, me filozofinë e vetme për t’i shërbyer banorëve të Durrësit dhe jo për t’u përdorur për përfitime personale.
Kjo frymë e re, organizim i ri, ekipi i ri me intelektualë dhe njerëz me integritet është pritur më së miri nga banorët e Durrësit, të cilët e kanë pritur prej shumë kohësh këtë frymë ndaj edhe familja jonë politike po rritet me ritme të jashtëzakonshme çdo ditë. Sot LSI Durrës është më e fortë se kurrë.
Bashkimi i Kokës me PS-në mund të përkthehet në mijëra vota të humbura për degën e LSI-së. Si synoni t’i rikuperoni këto humbje?
Ne sot kemi një projeksion real me mijëra vota të shtuara dhe jo të humbura. Teksa për dëmet e mëdha ndaj Durrësit, “Rilindja” duhet dhe do të ndëshkohet rëndë, e vetmja gjë për t’u falenderuar është se ajo i mori LSI-së individët më të kompromentuar gjatë bashkëqeverisjes, pazarxhinjtë pa asnjë ideal e të shantazhueshëm, duke ndihmuar procesin e pastrimit të LSI dhe hapjes së saj të pandalshme.
Më e fortë se kurrë dhe e distancuar nga individët problematikë që abuzuan me besimin e saj, LSI shkon në zgjedhjet e 25 prillit si një forcë shpresëdhënëse, përfshirëse, parimore dhe fituese.
Me largimin e këtyre individëve të kompromentuar kemi parë që me qindra qytetarë t’i bashkohen dita-ditës LSI Durrës. Duke e bërë kështu një parti model, të pandalshme dhe fituese.
Po t’u kthehemi zgjedhjeve të vitit 2017, vetëm ish-deputetja Nora Malaj vazhdon të jetë e rreshtuar përkrah Kryemadhit. Emra të njohur në Durrës si Flamur Gjuzi apo deputetja aktuale Edlira Hyseni mund të jenë pjesë e LSI-së në të ardhmen e afërt apo largimi i tyre nga partia është i pakthyeshëm?
Përkrah Monika Kryemadhit dhe LSI ka qenë, është, e do të mbetet rinia, zemra dhe energjia më vitale e Durrësit dhe e gjithë Shqipërisë. Kjo u pa edhe gjatë takimit që pati znj. Kryemadhi me rininë e Durrësit.
Të gjithë kanë parë takimet me qindra e qindra të rinj e të reja qē janë anëtarësuar në LSI si në Durrës ashtu edhe në mbarë Shqipërinë.
LSI është parti progresiste dhe evropiane. E pandalshme në ecjen dhe fitoren e saj të sigurtë. Nuk jemi parti emrash. Jemi një familje që mendon, punon, por edhe fiton në ekip. Dhe do jetë ky ekip që do e çmontojë dhe do e largojë sektin korruptiv dhe mafioz të “Rilindjes” përgjithmonë nga Durrësi.
Në vitin 2017 u arrit rezultati më i lartë ndër vite, morët dy deputetë në rang qarku. Jemi ende larg nga zgjedhjet e prillit 2021, por cilat janë objektivat e LSI Durrës?
Durrësi do jetë surpriza mē e madhe e zgjedhjeve të 25 prillit. Do jetë një fitore spektakolare. Kjo nuk është një dëshirë individuale, ky është fakt. Kjo është dëshira e banorëve të Durrësit. Që të mos drejtohen më nga sekti i betonit dhe korrupsionit, as nga individë aferash betonizimi apo plehrash, por nga njerëz me integritet, me vlera, me dëshirën e vetme për t’ia kthyer qytetin banorëve të Durrësit. Ky mision do bëhet realitet më 25 prill.
Për të gjithë ata që ende nuk e kanë vendosur ku të angazhohen politikisht, apo kë parti të mbështesin pse duhet të afrohen pranë LSI Durrës?
Ejani në LSI. Bashkohuni me familjen tonë e cila me një frymë të re, me dyert e hapura si kurrë më parë në politikën shqiptare, me një ekip intelektualësh, profesionistësh dhe ekspertësh është pasqyra e vërtetë e nevojës së madhe që ka Durrësi. Bashkohuni me ne që t’ia kthejmë Durrësin qytetarëve dhe jo zuzarëve që e degraduan e zhvatën dhe e shkatërruan qytetin tonë.
Bashkohuni me ne. Bashkohuni me fituesit. Bëhuni pjesë e fitores së madhe e të sigurtë të 25 prillit, e cila do nisë në Durrës e do bëjë jehonë në të gjithë Shqipërinë.
Që të gjithë së bashku të kthejmë shpresën, të ndalim shpopullimin dhe largimin e rinisë, të ndërtojmë Durrësin dhe zhvillojmë ekonominë dhe të ardhmen e vendit. Bashkohuni me ne sepse familjet e thjeshta të Durrësit kanë përjetuar trauma të rënda jo vetëm nga tërmeti dhe pandemia, por edhe nga qeverisja më e keqe dhe më brutale e 30 viteve të fundit.
Bashkohuni me ne ta shporrim kancerin e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë dhe të punojmë për standarde jetese më të mira për familjet e thjeshta, për rininë, pensionistët, biznesin e madh dhe të vogël, për të gjithë njerëzit e thjeshtë të cilët jetojnë në një qytet të bukur, por të betonizuar dhe rrënuar, i përkasin një vendi të pasur dhe të bekuar, por që janë shtypur dhe vjedhur.