Kontrolle në të gjithë vendin për kultivimin e kanabisit, në pranga një person

Policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë në mbarë vendin për parandalimin e kultivimit të kanabisit. Janë ushtruar kontrolle në sera , tunele, ish-reparte ushtarake, në banesa të pabanuara si dhe në objekte të ndryshme dhe territore të hapura që dyshohet se mund të shfrytëzohen për kultivimin e bimëve narkotike.

“Në operacionin masiv që ka nisur prej orëve të para të mëngjesit  dhe është në vijim janë duke kryer kontrolle në terren, 445 grupe  kontrolli, ku janë angazhuar 2225 punonjës policie të  strukturave të  Drejtorive Vendore të Policisë dhe të Policisë Kufitare. Deri në këto  momente, në gjithë vendin janë ushtruar 6724 kontrolle, nga këto: 4956  në sera, 457 në tunele, 211 në ish-reparte ushtarake, 546 në ish-rezerva  dhe magazina shtetërore, 249 në banesa të pabanuara, 34 në vila dhe  banesa të dyshuara, 271 në objekte të ndryshme dhe territore të  pyllëzuara që dyshohet se mund të shfrytëzohen për kultivim të bimëve  narkotike” – njoftojnë uniormat blu.

Në Shkodër- Në Shkodër u arrestua shtetasi me iniciale I.F., në fshatin Gur i Zi, i cili ishte në kërkim nga autoritetet për mos kallëzim të krimit.

Në Durrës 40 grupe kontrolli – Në Durrës operacioni ka nisur që prej orëve të para të mëngjesit e në vijim. Në Qarkun e Durrësit kanë ushtruar kontrolle 40 grupe, ku janë angazhuar 200 punonjës policie të Drejtorisë Vendore dhe të Komisariatit të Policisë Durrës.  “Deri në këto momente, në të gjith territorin në juridiksion të  qarkut Durrës, janë ushtruar kontrolle në sera , tunele, ish-reparte ushtarake, në banesa të pabanuara si dhe në objekte të ndryshme dhe territore të hapura që dyshohet se mund të shfrytëzohen për kultivimin e bimëve narkotike.” informon policia

Në Korçë 34 grupe kontrolli – Në Korçë ka nisur operacioni që në orët  e para të mëngjesit me 34 grupe kontrolli, ku janë angazhuar 170 punonjës policie të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Policisë Kufitare. Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve, deri tani nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Në Fier – 150 forca policie gjatë paradites së sotme kanë ushtruar kontroll masiv të territorit të Fierit në kuadër të operacionit me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. 30 grupet e ngritura të kontrollit në Qarkun Fier, kanë ushtruar kontrolle në sera, tunele, banesave të braktisura, ambiente të mbyllura, magazinave të ndryshme ku deri tani nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Në Gjirokastër – Në operacion janë angazhuar 35 grupe kontrolli të përbërë nga 175 punonjës policie, ku kanë kontrolluar sera, tunele, ish-reparte ushtarake, zona të pyllëzuara, banesa të braktisura, ambiente të mbyllura, magazina, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike ku deri tani nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të kanabisit.

Sipas asaj që njoftojnë autoritetet, kontrollet masive do vazhdojnë edhe në javët e muajt në vijim.

SHKARKO APP