Kontrolli fizik i automjeteve, DPSHTRR bën njoftimin: “Përdorni shërbimin e ri”
Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor udhëzon të gjithë subjektet të përdorin shërbimin “easy check” për të kryer kontrollin fizik të automjeteve të tyre, në pamundësi të gjendjes së krijuar prej COVID-19.
Shërbimi “easy check” i ofrohet të gjithë subjekteve dhe koncesionarëve që tregtojnë automjete duke mundësuar kryerjen e kontrollit fizik të mjeteve në ambientet e subjektit prej specialistëve të DPSHTRR, pa qenë nevoja për t’i sjellë mjetet te kontrolli fizik në drejtoritë rajonale. Ky shërbim aktualisht ofrohet vetëm në Tiranë dhe Durrës.
Pasi të plotësohet dhe dërgohet formulari me të dhënat e subjektit dhe të mjetit të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit fizik, minimalisht 5 mjete, subjekti do të kontaktohet me telefon/e-mail nga stafi i Shërbimit të Transportit Rrugor përkatës për përcaktimin e datës dhe orarit për kontrollin fizik.
Subjekti duhet të marrë masa për transportin e punonjësit të Shërbimit të Transportit Rrugor deri në ambientet ku ndodhen mjetet të cilat do t’i nënshtrohen kontrollit fizik.
Punonjësi i DRSHTRR do të vijojë më tej me përgatitjen e dokumentacionit përkatës.
Në një datë të dytë, punonjësi i autorizuar nga subjekti për kryerjen e veprimeve paraqitet në sportelet e DRSHTRR përkatëse për procedurat e regjistrimit të mjeteve.
Pagesa për këtë shërbim kryhet ditën e paraqitjes në sportel me një kosto shtesë prej 200 lekë për mjet.