Kontrollori në Rinas: Kam 15 vite karrierë, problemet nisën që në mars të 2020
Situatë kaotike është në aeroportin ndërkombëtare ”Nënë Tereza”. Një nga kontrollorët që sot kanë bllokuar përditshmërinë e punës duke pezulluar trafikun ajror në vend, rrëfen arsyet e tyre. Bëhet fjalë për Olsi Petrin, me 15 vjet karrierë në Albcontrol, supervizor i turnit që pothuajse po mbaron. Ai mohon se ky është vendim grupi, madje as që janë teknikisht në grevë.
”Kemi kolegë brenda në ndërmarrje, për pak ndërrohet turni, por ne jemi të gjithë këtu. Nuk mund të them që ky është vendim grupi. Në qoftë se një shkak sjell një pasojë, nuk di si mund të cilësohet. Një pjesë është ndjerë i stresuar, dje u dhanë letra dy kolegeve për t’u shkarkuar. Është e vërtetë që kodi i punës i ndalon kontrollorët nga e drejta e grevës, por unë nuk ndihem në grevë. Kontrollorët kanë shpallur paaftësinë e përkohshme, për momentin po punojnë vetëm ata që nuk e kanë shpallur, dhe kemi informacion që hapësira ajrore shqiptare është mbyllur”,-tha për ”A2cnn”.
Petri dëshiron të specifikojë që në rast se një kontrollor ndihet i stresuar, ai duhet ta deklarojë dhe ka të drejtën të marrë pushime, të vizitohet nga mjeku deri sa të përcaktohet si i aftë ose të deklarojë se e ka kaluar këtë fazë, sepse përndryshe afekton në punën e të tjerëve.
”Ky është problem që ka filluar në marsin e vitit të kaluar, kontakti i fundit me drejtuesit ka qenë qershori i vitit të kaluar, dhe rifillimi i bisedimeve ka rifilluar më 16 mars. Kur kemi qenë në takim me ministren janë paraqitur dy kërkesa të panegociueshme, u duk sikur nuk kishte mundësi dialogu dhe kontrollorët kanë lënë bisedimet”,-tha më tej.