“Kopshtarët” shqiptarë përfundojnë në burg
Sokol Sakuta dhe Klodian Lezaj punonin si kopshtarë në dy fabrika kanabisi në Peterborough dhe ndaj tyre një gjykatë në Britani, i ka dënuar me burg . Ata u arrestuan pas një aksioni masiv të policisë. Lezaj fillimisht tentoi t’i shpëtojë prangave dhe u mundua të arratisej nga një shtëpi në Swanspool të Peterborough. Sokol Sakuta u arrestua në një shtëpi tjetër në Drayton.
Të dy dolën para Gjykatës së Kurorës së Peterborough dhe pranuan se ishin marrë me prodhim të kanabisit. Klodian Lezaj u dënua me 8 muaj burg, ndërsa Sokol Sakuta me 20 muaj. Prokurori i çështjes, James Earle, tha se në pronën në Swanspool ku punonte Lezaj u gjetën në total 61 rrënjë kanabis. Vlera e drogës shkonte rreth 17.000 deri në 51.000 Paund. Sipas tij, 27-vjeçari kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar i fshehur prapa një kamioni.
Pasi punoi për një farë kohe në Londër ai shkoi në Peterborough. Lezaj ishte takuar me një shqiptar dhe një pakistanez në një stacion metroje. Ata i ofruan atij punën në fabrikën e kanabisit, ku mund të qëndronte në një dhomë falas dhe do t’i jepej çdo javë 50 Paund për ushqime në mënyrë që të kujdesej për bimët. Gjithashtu atij i ishin premtuar më shumë para pasi të shitej sasia e lëndës narkotike. Në fabrikën tjetër të kanabisit në Drayton u gjend më shumë drogë. Në total aty u sekuestruan 113 rrënjë të ndara në dy dhoma, së bashku me një çantë të mbushur me kanabis në kuzhinë. Vlera e bimëve kur të bëhej gati për treg shkonte nga 31.000 deri në 95.000 paund. Vlera e drogës në çantë kapte shifrën e 50.000 paund. Avokati mbrojtës i dy shqiptarëve, John Farmer tha se shqiptarët ishin detyruar të punonin aty prej situatës së vështirë në të cilën ndodheshin. /Abc News/
KOHA JONË SONDAZH

