Kopshtet private do të kalojnë në sitë, verifikohen licencat dhe kushtet
Pas dhunës së ushtruar tek 3-vjeçarja, që edukatorja i theu edhe këmbën, kopshtet private do të kalojnë në sitë. Një task-forcë ndërinstitucionale ka nisur kontrollet në të gjithë vendin. Ministria e Arsimit njeh 219 kopshte private. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në Tiranë, Durrës, Fier dhe Shkodër.
Në vend po funksionojnë si të tilla dhe biznese të palicensuara për institucionet të arsimit parauniversitar siç ndodhi me kopshtin në kryeqytet ku pak ditë më parë një edukatore I theu këmbën një tre-vjeçareje. Verifikimi I tyre është hapi i parë i këtyre grupeve të punës.
Kushtet që një kopsht duhet të plotësojë e që do të jenë objekt kontrolli i task forcës nisin që nga hapësira në dispozicion e deri tek kualifikimi apo vlerësimi psiko-social i edukatorëve. Nëse një kopsht nuk plotëson kushtet ndaj tij do të merren masa që nisin nga paralajmërimi, vijojnë me gjobë e shkojnë deri në mbyllje të tij.